Zjarri më i madh në historinë e Novi Pazarit – digjen fabrika, gurore dhe depo

Zjarrfikësit në Novi Pazar që nga mesnata e djeshme po përballen me zjarrin më të madh, sipas tyre, në historinë e këtij qyteti.

Sipas raportimeve të mediave lokale, zjarri dje rreth orës 2 të mëngjesit përfshiu fabrikën EMA-TEX, guroren Musiq, si dhe disa magazina dhe depo materiale, duke shkaktuar një dramë të vërtetë në zonën industriale të qytetit.

Tymi i dendur dhe flakët e larta ishin të dukshme nga pothuajse çdo pjesë e Novit Pazarit, shkruan klix.ba.

Sipas informacionit të fundit, zjarrfikësit pas një beteje disa-orëshe kanë arritur ta vendosin zjarrin nën kontroll, por situata mbetet serioze.

Sipas komandantit të Njësisë së Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Novi Pazar, bëhet fjalë për zjarrin më të madh që ka përfshirë ndonjëherë qytetin.

“Kjo është, pa dyshim, ndërhyrja më e vështirë në Novi Pazar deri më tani. Situata mbetet serioze, por zjarri nuk ka më fuqinë e përhapjes së pakontrolluar”, tha komandanti i zjarrfikësve, duke theksuar përpjekjen dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të të gjitha ekipeve në terren.

Në shuarjen e zjarrit, përveç forcave vendase, po marrin pjesë edhe ekipe zjarrfikëse nga disa qytete të tjera, të cilat iu përgjigjën thirrjes për ndihmë dhe mbërritën në Novi Pazar gjatë natës dhe mëngjesit.

Sipas informacionit në dispozicion, nuk ka viktima, çka konsiderohet sukses i madh i operacionit në këtë moment. Megjithatë, dëmet materiale janë të mëdha dhe, sipas vlerësimeve të para jozyrtare, shkojnë në miliona, ndërsa shtrirja e saktë do të përcaktohet pas përfundimit të ndërhyrjes dhe inspektimit.

Banorëve u këshillohet kujdes, shmangia e zonës së përfshirë nga zjarri dhe ndjekja e informacionit zyrtar. Shërbimet përgjegjëse do të qëndrojnë në terren deri sa zjarri të fiket plotësisht dhe situata të shpallet e sigurt.