Janevska: Nxënësit kanë më pak orë se bashkëmoshatarët në BE, duhet të vendoset më shumë disiplinë në arsim

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi se në sistemin arsimor duhet të vendoset më shumë disiplinë, duke pasur parasysh se nxënësit në vendin tonë kalojnë më pak kohë në mësim, transmeton Portalb.mk.

“Nxënësit tanë deri në 15 vjeç kanë 900 orë më pak se bashkëmoshatarët e tyre në Bashkimin Evropian, standardet e të cilit synojmë t’i arrijmë dhe në të cilin klub duam të bëhemi pjesë. Por ne, të rriturit, dhe prindërit duhet të kuptojnë se respektimi i disiplinës në arsim është i domosdoshëm,” tha Janevska.

Deklarata vjen pas diskutimeve për mundësinë e shtyrjes së pushimeve dimërore për shkak të numrit në rritje të të sëmurëve nga gripi.

Sipas ministres, të gjitha studimet relevante, brenda dhe jashtë vendit, tregojnë se qëndrimi më i gjatë i nxënësve në bankat shkollore sjell rezultate më të mira mësimore dhe aftësi më të mëdha.

Në vend sot filloi gjysmëvjetori i dytë në shkollat fillore dhe të mesme.