Nuk ua hapi lokalin, e rrahën pronarin, paraburgim për kumanovarët

Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër dy personave, për të cilët ekziston dyshim i bazuar se së bashku kanë kryer veprën penale ‘dhunë’, nga neni 386 paragrafi 6, në lidhje me paragrafët 3 dhe 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

Më 18 janar, pas orës 01:00 pas mesnate, të dyshuarit në mënyrë agresive dhe të dhunshme janë përpjekur të hyjnë në një lokal që tashmë ishte i mbyllur, me qëllim që edhe pas orarit të punës të konsumonin alkool aty.

“Pronari nuk ua ka lejuar këtë, pas çka ata kanë vazhduar me veprime veçanërisht agresive në oborrin e objektit hotelierik dhe e kanë sulmuar fizikisht pronarin, duke i shkaktuar disa goditje në kokë dhe trup. E kanë rrëzuar në tokë dhe i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore – thyerje të krahut të djathtë dhe dëmtim të veshit”, informoi Prokuroria.

Me këto veprime të dhunshme, të dyshuarit kanë shkaktuar ndjenjë pasigurie dhe frike edhe te disa persona të tjerë që në atë moment ndodheshin pranë objektit.

Prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Kumanovë propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dy të dyshuarit.

Gjykata e ka pranuar propozimin dhe u ka caktuar paraburgim prej 30 ditësh secilit.