Prokuroria e Shtetit ka nisur ndërmarrjen e hapave ligjorë pas dyshimeve për manipulim me vota të cilat dolën në pah që kur nisi procesi i rinumërimit.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në të gjitha komunat, ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor.
“Pula ka kërkuar që edhe në komunat ku ende nuk ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave që menjëherë pas përfundimit të këtij procesi të fillohet nga prokuroritë përkatëse procesi i grumbullimit të provave të nevojshme. Prokurori i Shtetit do të mbetet i angazhuar për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve, dhe do të hetoj çdo rast, për të cilin kanë dyshime është keqpërdorë – falsifikuar vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”, thuhet në komunikatë.
Rinumërimi i pjesshëm i votave ka nxjerrë një model manipulimi që është përdorur në të gjitha komunat: në Prizren më së shumti kanë përfituar kandidatët e Prizrenit, në Kaçanik ata të Kaçanikut e në Podujevë kandidatët e po kësaj komune. Mospërputhjet janë shënuar brenda listave zgjedhore dhe jo te votat e partive.



