Publicisti dhe aktivisti Blerim Shala ka deklaruar se gjatë fillimit të viteve ’90, Kroacia ka mashtruar si faktorët politikë shqiptarë ashtu edhe ata sllovenë, duke mos respektuar marrëveshjet e bashkëpunimit në rrethanat e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Në bashkëbisedimin në podcastin PIKË, publicisti Veton Surroi ka kujtuar takimin e vitit 1991 në Stubiçke Toplice, i cili, sipas tij, ishte ide e përbashkët e kroatëve dhe disa aktivistëve shqiptarë për të diskutuar mundësinë e një mobilizimi të përbashkët në atë që quhej Fronti jugor.
Ai ka theksuar se në atë takim kanë marrë pjesë përfaqësues nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva, si dhe delegatë të Kuvendit të Kosovës në ekzil dhe anëtarë të Qeverisë. Qëllimi ishte bashkimi i faktorëve politikë dhe shmangia e iniciativave të veçuara që do ta shtynin Kosovën drejt një lufte për të cilën nuk ishte e përgatitur.
Shala ka pranuar se në atë periudhë kishte edhe naivitet, pasi disa besonin se përmes takimeve publike dhe me prani të kamerave televizive mund të shpallej një lloj kushtrimi për luftë. Ai ka thënë se disa pjesëmarrës kishin përgatitur fjalime të tilla, duke përmendur edhe Mahmut Bakallin si një nga figurat e përfshira.
Në bisedë u përmendën edhe konsultimet me palën sllovene dhe kroate. Shala ka treguar se kishte kontakte personale me Janez Janshën, i cili më vonë u bë ministër i Mbrojtjes i Sllovenisë. Sipas tij, Jansha i kishte sugjeruar qartë që shqiptarët të mos hynin në luftë, duke theksuar se Kosova nuk ishte e përgatitur dhe se duhej pritur momenti i duhur.
Duke folur për bashkëpunimin rajonal, Shala u shpreh se kishte gatishmëri për një koalicion mes Kroacisë, Kosovës, Sllovenisë dhe Maqedonisë së Veriut, por sipas tij, Kroacia vazhdimisht i kishte mashtruar partnerët. Ai kujtoi se ekzistonte një marrëveshje mes Kroacisë dhe Sllovenisë që, në rast se njëra sulmohej, tjetra do të hynte në luftë, por kur Sllovenia u sulmua, Kroacia nuk reagoi.
Surroi shtoi se edhe ish-presidenti Ibrahim Rugova, pas takimit të parë me Franjo Tugjmanin, nuk ishte takuar më me të, duke e kuptuar se bashkëpunimi nuk kishte dobi reale.
Në podcast u diskutua edhe për kontaktet me ish-presidentin e Shqipërisë, Ramiz Alia, i cili sipas Shalës kishte refuzuar ofertat kroate për dërgimin e armatimit në Kosovë, duke theksuar se as Shqipëria dhe as Kosova nuk ishin të përgatitura për luftë në atë kohë.
Megjithatë, të dy bashkëbiseduesit theksuan se pavarësisht këtyre zhvillimeve, disa figura kroate kishin qenë mbështetëse të çështjes shqiptare, veçanërisht në çështje humanitare dhe dokumentacioni, si dhe në tërheqjen e ushtarëve shqiptarë nga Ushtria Popullore e Jugosllavisë në fillim të luftës në Kroaci.



