“MIA” zbulon emrat e ekspertëve të huaj të angazhuar për ndërhyrjet e panevojshme kirurgjike

Nikolla Lakiq, kirurg kardiovaskular nga Lubjana, Ugolino Livi, kardiokirurg nga Italia dhe Hugon Mozhina, specialist internist dhe specialist për mjekim intensiv nga Lubjana, janë tre ekspertët e huaj, të cilët do të konsultohen për rastet e intervenimeve të panevojshme kardiovaskulare, kupton MIA.

Sipas ekspertëve tanë, problemi është se në këtë grup nuk ka kardiolog intervenues, i cili në fakt jep diagnozën, pa angazhimin e një eksperti të tillë, tek ekspertët tanë paraqitet dyshimi. Sidomos në lidhje me ekspertin e tretë të huaj, dr. Mozhina, i cili është internist.

Është e paqartë edhe pse aq gjatë pritej për ekspertët e huaj. Fillimisht, u tha se problemi ishin zgjedhjet lokale, por ato përfunduan dy muaj më parë, kështu që është e qartë se gjërat nuk po shkojnë siç duhet këtu.

Gjithashtu është e paqartë pse Prokuroria Publike hesht, megjithëse ka tetë raste të konfirmuara të ndërhyrjeve të panevojshme, pas të cilave qëndruan 16 kardiologët tanë më të mirë, e atyre tetë rasteve, iu shtuan edhe dy tjerë. Ashtu që, pa asnjë vonesë, PP mund të kishte vepruar pasi, në fakt, ekziston ekspertiza e 16 ekspertëve tanë.

Në pyetjen nëse ka pasur ndonjë ndryshim në përbërjen e Komisionit ekzistues vendas, Ministria e Shëndetësisë për MIA-n potencuan se ka pasur vetëm një ndryshim në përbërjen e Komisionit në lidhje me një nga përfaqësuesit e tyre. Për anëtar të ri të Komisionit, siç u tha, u emërua dr. Aleksandar Stankov, drejtor i Institutit të Mjekësisë ligjore, ndërsa dr. Zharko Hristovski, specialist i kardiologjisë nga Axhibadem Sistina, mbetet kryesues, si anëtar më i moshuar i Komisionit.

Për burimet e MIA-s gjithashtu është e paqartë pse është punësuar një mjek nga Mjekësia ligjore, pasi kjo ka shkaktuar indinjatë tek shumica e 16 ekspertëve të sëmundjeve kardiovaskulare, të cilët u prononcuan deri tani.

Në konferencë për shtyp të mbajtur në nëntor të vitit të kaluar, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu njoftoi se nga 25 rastet e pranuara, Komisioni intern për ndërhyrje kardiologjike dhe kardiokirurgjikale ka analizuar 19, nga të cilat për 10 raste njoftuan se janë kryer ndërhyrje të panevojshme kirurgjikale ose pa nevojë janë dërguar në interevenim kirurgjik. Këto janë ato 10 rastet, për të cilat të gjithë ende heshtin, përfshirë edhe Prokurorinë Publike.

Siç njoftuam në shtator, dokumenti i nënshkruar nga 16 kardiologë dhe kirurgë kardiakë nga klinikat shtetërore, i cili, së bashku me tetë dosjet e pacientëve, ndaj të cilëve janë kryer ndërhyrjet kirurgjikale kardiake në një klinikë private, iu dorëzua Ministrisë së Shëndetësisë dhe Fondit për sigurime shëndetësore, thotë se këto janë raste në të cilat u gjetën “parregullsi të caktuara në indikacionet për trajtim kirurgjikal”. Më vonë, numri i rasteve u rrit në mbi 20.

Çfarë do të thotë kjo, pyetëm disa nga nënshkruesit? Përgjigja që na dhanë ishte e shkurtër dhe e qartë: “Se nuk ka arsye të vërtetë për ndërhyrje kirurgjikale, sipas mjekësisë së bazuar në prova”.

Kjo do të thotë se në këto tetë raste, të cilat janë bërë 10, e tani as nuk dihet se sa ka, sipas 16 kirurgëve kardiakë dhe kardiologëve tanë, janë kryer ndërhyrje të panevojshme kirurgjikale, e pastaj ato janë faturuar nga Fondi për sigurime shëndetësore. Nuk bëhet fjalë për vendosjen e stentit, për çka Fondi për sigurime shëndetësore nuk ka marrëveshje me klinikat private, thotë burimi ynë, por për ndërhyrje klasike kirurgjikale.

Mbetet e paqartë pse këto operacione nuk u kryen në kardiokirurgjinë shtetërore, e cila u themelua për këtë qëllim.