KE-ja po e shqyrton mundësinë e anëtarësimit të shpejtë të Ukrainës në BE, por pa të drejta të plota

Anëtarësimi i shpejtë por pa të drejta të plota i Ukrainës në Bashkimin Evropian është ideja që Komisioni Evropian po e shqyrton, në kuadër të marrëveshjes që do ta ndalte luftën e Rusisë në këtë shtet. Dy zyrtarë të BE-së, të informuar për këtë ide e që folën ekskluzivisht për Reutersin, thanë se plani është pjesë e garancive të sigurisë që shteti ukrainas i kërkoi nga Evropa për periudhën e pasluftës
Komisioni Evropian po i shqyrton mundësitë për t’ia lejuar Ukrainës anëtarësimin e shpejtë, por me të drejta të kufizuara në Bashkimin Evropian, si pjesë e marrëveshjes së paqes me Rusinë, thanë dy zyrtarë të bllokut që folën për agjencinë Reuters.

Sipas tyre, anëtarësimi i Ukrainës me të drejta të plota mund të sigurohet vetëm pas kalimit të periudhës së tranzicionit dhe pasi që në këtë shtet të garantohen kushtet për një gjë të tillë.

Ideja, që është ende në fazë fillestare, mund edhe të zmbrapset, pasi edhe për anëtarësimin me të drejta të kufizuara nevojitet miratimi në parlamente kombëtare dhe pajtimi i të gjitha qeverive të vendeve anëtare.

“Duhet të pranojmë se ndodhemi aktualisht në një realitet krejtësisht ndryshe prej atij kur rregullat për anëtarësim u hartuan fillimisht. Ukraina, e potencialisht edhe kandidatë të tjerë, do të mund të siguronin anëtarësim të shpejtë në BE dhe më pas t’u mundësohet qasje fazore në të drejtën për votë, varësisht nga progresi i tyre drejt përmbushjes së kritereve të plota për anëtarësim”, ka deklaruar zyrtari.

Rëndom, bisedimet për anëtarësim në BE zgjasin me vite. Polonisë, që ka popullsi të përafërt me të Ukrainën, i janë dashur 10 vjet që t’i përmbyllë negociatat dhe t’i përmbushë kërkesat ligjore, para hyrjes më 2004 bashkë me nëntë shtete të tjera.

Por disa përfaqësues në KE argumentojnë se në aspektin politik, Ukraina nuk ka kaq kohë.

“Është në interesin e Evropës që ta ketë Ukrainën në BE, shkaku i vet sigurisë së saj. Kjo dhe është arsyeja përse jemi në kërkim të zgjidhjeve kreative – se si ta përafrojmë Ukrainën me BE-në në mënyrë të shpejt. Koncepti i anëtarësimit të kthyeshëm e pasqyron këtë ide – ta kemi Ukrainën politikisht anëtare në BE dhe më pas t’i sigurojmë kriteret për anëtarësim të plotë, kur kushtet për këtë të krijohen”, ka deklaruar zyrtari.

Anëtarësimi i Ukrainës në BE më 2027 u pat cekur në planin 20-pikësh të paqes të diskutuar mes SHBA-së, Ukrainës dhe BE-së, si masë garancie për ta mundësuar prosperitetin ekonomik të shtetit, pas përfundimit të luftës.

Por shumë shtete të BE besojnë se caktimi i një date fikse është gjasë joreale, meqë anëtarësimi është proces i bazuar në merita dhe që avancon vetëm atëherë kur evidentohet progres në përputhjen e ligjeve të një shteti pretendent me standardet e BE-së.