“Mospajtime thelbësore” mes SHBA-së e Danimarkës për Grenlandën

“Nuk arritëm të ndryshonim qëndrimin e Amerikës. Është e qartë se presidenti dëshiron ta pushtojë Grenlandën. Dhe, ne e bëmë të qartë se kjo nuk është në interesin e Mbretërisë së Danimarkës”, ka thënë ministri i Jashtëm danez pas takimit me zëvendëspresidentin JD Vance dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio. Ndërkohë në një deklarim në Zyrën Ovale, të mërkurën presidenti Trump ka ripërsëritur se e do nën kontrollin amerikan ishullin për shkaqe të sigurisë kombëtare.
Ministri i Jashtëm i Danimarkës ka thënë se një “mospajtim thelbësor” mbi Grenlandën mbetet me presidentin amerikan, Donald Trump, edhe pas bisedimeve të zhvilluara në Washington me zëvendëspresidentin JD Vance dhe sekretarin e Shtetit, Marco Rubio. Të dyja palët megjithatë janë pajtuar që ta krijojnë një grup punues për të diskutuar mënyra për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, derisa Trumpi ka vazhduar të bëjë thirrje për marrje nën kontroll të Grenlandës.

“Është në interesin e të gjithëve – edhe pse nuk pajtohemi – që të pajtohemi të përpiqemi të shqyrtojmë nëse është e mundur të adresohen disa nga shqetësimet, duke respektuar njëkohësisht integritetin e territorit të mbretërisë daneze dhe vendosmërinë e popullit të Grenlandës”, ka thënë ministri Lokke Rasmussen, pas takimit të së mërkurës, që është mbajtur pasi Trumpi ka deklaruar se SHBA-së i nevojitet Grenlanda për çështje të sigurisë kombëtare.

Rasmussen ka theksuar se përpjekja e SHBA-së për ta marrë Grenlandën është “absolutisht e panevojshme”, duke shtuar se nuk ka ndonjë rrezik të afërt nga Kina dhe Rusia.

“Nuk arritëm të ndryshonim qëndrimin e Amerikës. Është e qartë se presidenti dëshiron ta pushtojë Grenlandën. Dhe, ne e bëmë të qartë se kjo nuk është në interesin e Mbretërisë së Danimarkës”, deklaroi Rasmussen.

Në një deklarim në Zyrën Ovale, të mërkurën presidenti Trump ka ripërsëritur se e do nën kontrollin amerikan ishullin për shkaqe të sigurisë kombëtare.

“Grenlanda është shumë e rëndësishme për sigurinë kombëtare përfshirë sigurinë e Danimarkës. Danimarka nuk mund të bëjë asgjë nëse Rusia dhe Kina duan ta okupojnë Grenlandën. Nuk mund të mbështetem në aftësinë e Danimarkës për t’u vetëmbrojtur”, ka theksuar Trump pas takimit që zyrtarët danezë e kanë zhvilluar me Vancen dhe Rubion.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë, por kemi nevojë për të”, ka shtuar Trump.

Ndërkohë disa orë para takimit, Trump ka qenë i ashpër në deklarime, duke e kërkuar edhe ndihmën e aleancës veriatlantike të NATO-s, për këtë qëllim.

“NATO-ja duhet të na udhëheqë në rrugën për ta marrë Grenlandën. Nëse ne nuk e bëjmë, atëherë Rusia apo Kina do ta bëjnë, dhe kjo nuk do të ndodhë. Ushtarakisht, pa fuqinë e madhe të Shteteve të Bashkuara, pjesën më të madhe të së cilës e ndërtova gjatë mandatit tim të parë, dhe tani po e çoj në një nivel të ri dhe edhe më të lartë, NATO-ja nuk do të ishte forcë efektive ose pengesë – as përafërsisht! Ata e dinë këtë, dhe unë gjithashtu. NATO-ja bëhet shumë më e frikshme dhe më efektive me Grenlandën në duart e SHBA-së”, ka shkruar presidenti amerikan në Truth Social.

Por presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se vendimi mbi të ardhmen e ishullit u takon Danimarkës dhe Grenlandës.

“Grenlanda i përket popullit të saj, prandaj u takon Danimarkës dhe Grenlandës, dhe vetëm atyre, të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me Danimarkën dhe Grenlandën. Ky është parimi i parë dhe shumë i rëndësishëm. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë daneze, për të dëgjuar nevojat dhe kapacitetet e grenlandasve. Së dyti, Grenlanda është pjesë e NATO-s, dhe kur flasim për sigurinë në Arktik, kjo është një nga temat kryesore të NATO-s”, ka deklaruar von der Leyen.

Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka thënë një ditë më parë se në rast se vendit të tij i duhet të zgjedhë midis Danimarkës dhe Shteteve të Bashkuara, atëherë do të zgjedhë Danimarkën.
Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, e cila ka theksuar se Grenlanda nuk është në shitje.

Tensionet mes shteteve janë intensifikuar gjatë këtij muaji, kur presidenti amerikan ka bërë të ditur se i ka në shqyrtim disa opsione për marrjen nën kontroll të këtij ishulli, përfshirë edhe përdorimin e forcës ushtarake.

Grenlanda, e cila ka një popullsi prej 57,000 banorësh, ka pasur vetëqeverisje të gjerë që nga viti 1979, megjithëse mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten në duart e Danimarkës.

Ndërsa shumica e banorëve të Grenlandës mbështesin pavarësinë përfundimtare nga Danimarka, sondazhet e opinionit tregojnë kundërshtim dërrmues ndaj bashkimit me SHBA-në.