Shkruan: Florian NESIMI
Të dielën u mbyllën zgjedhjet e përsëritura lokale në Gostivar dhe Vrapçisht. Fitues dolën kandidatët e mbështetur nga AKI-ja, por ashtu si në raundin e parë të 19 tetorit, edhe kësaj radhe pragu ligjor i pjesëmarrjes prej 33,33% nuk u arrit. Në zgjedhjet e së dielës, dalja në Gostivar ishte vetëm rreth 28%, e që ishte edhe më e ulët se ajo e tetorit. Kjo pjesëmarrje e ulët ngre dy shqetësime thelbësore:
E para, me shumë gjasa edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale të vitit 2029 do të përsëritet i njëjti skenar: pjesëmarrje nën pragun e nevojshëm dhe zgjedhje të përsëritura.
E dyta, nga këndvështrimi politik dhe moral, legjitimiteti i mandatit të kryetarit të zgjedhur bie në pikëpyetje. Ligjërisht, Valbon Limani ka fituar mandatin plotësisht sipas rregullave dhe kjo nuk mund të kontestohet, por nga aspekti politik dhe popullor, një fitore e bazuar në vetëm një të katërtën e votuesve të regjistruar nuk mund të quhet mandat i fortë dhe përfaqësues.
Dhe pas rezultateve të ditës së diel, merr peshë deklarata e bërë nga Arben Taravari në tetor të vitit të kaluar kur tha se Gostivari do të jetë qendra e re e opozitës shqiptare. Asokohe kjo u perceptua si ambicie e tepruar, por sot, pas fitoreve në Gostivar dhe Vrapçisht duket se ajo deklaratë po merr peshë politike. Sidomos nëse e shohim paralelisht se çka po ndodh brenda BDI-së. Pas kongresit të dhjetorit dhe ndryshimeve në kryesi duket se BDI-ja po e lë gradualisht anash Tetovën, një qytet ky që tradicionalisht konsiderohet si qendra politike e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Në kryesinë e ngushtë të BDI-së nga nëntë anëtarë (kryetari, 3 sekretarët dhe 5 nënkryetarët), nga Tetova kemi vetëm një nënkryetar. Kjo është një ulje drastike e peshës politike të Tetovës në organet më të larta vendimmarëse të partisë. Dhe kjo mesiguri se do të ketë pasoja të drejtpërdrejta në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale. Ky proces i anashkalimit të Tetovës është gabim strategjik për BDI-në. Tetova jo vetëm që ka numrin më të madh të votuesve shqiptarë, por ka edhe një histori simbolike të rezistencës dhe politikës shqiptare. Trupi votues në Tetovë dhe rrethinë nuk do të jetë indiferent ndaj këtyre zhvendosjeve të pushtetit brenda partisë. Pakënaqësitë e shprehura pas kongresit tregojnë se mund të krijohet tension i brendshëm që mund të shfrytëzohet nga forca tjera politike shqiptare, përfshirë ato që tashmë po fitojnë terren në zona si Gostivari.
Në fund të fundit, fitoret e AKI-së në Gostivar e Vrapçisht duket se ishin edhe të pritura, por ato vijnë me pasoja të rënda: legjitimitet të dobët popullor dhe krizë të thellë pjesëmarrjeje. Sepse pa mobilizim masiv të qytetarëve, çdo fitore politike mbetet e brishtë, si një kështjellë e ndërtuar mbi rërë.




