Trumpi kërkon që NATO-ja ta udhëheqë në marrjen e Grenlandës

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të mërkurën se çdo gjë më pak se kontrolli amerikan i Grenlandës është “i papranueshëm”, ndërsa ka këmbëngulur se SHBA-ja “ka nevojë për Grenlandën për sigurinë kombëtare”.

Presidenti amerikan ka fuqizuar retorikën e tij për marrjen e kontrollit të Grenlandës, duke kërkuar madje ndihmën e aleancës veriatlantike, NATO, për këtë qëllim.

Në një postim në rrjetet sociale, Trumpi ka shkruar se nëse SHBA-ja nuk e merr Grenlandën, Rusia ose Kina do ta bëjnë.

“Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për Grenlandën për qëllime të sigurisë kombëtare. Është jetike për Kupolën e Artë që po ndërtojmë. NATO-ja duhet të na udhëheqë në rrugën për ta marrë atë. Nëse nuk e bëjmë, Rusia apo Kina do ta bëjnë, dhe kjo nuk do të ndodhë. Ushtarakisht, pa fuqinë e madhe të Shteteve të Bashkuara, pjesën më të madhe të së cilës e ndërtova gjatë mandatit tim të parë, dhe tani po e çoj në një nivel të ri dhe edhe më të lartë, NATO-ja nuk do të ishte një forcë efektive ose pengesë – as për së afërmi! Ata e dinë këtë, dhe unë gjithashtu. NATO-ja bëhet shumë më e frikshme dhe më efektive me Grenlandën në duart e SHBA-së”, ka shkruar Trumpi.

Komentet e tij ka të ngjarë të irritojnë udhëheqësit danezë dhe të Grenlandës vetëm disa orë përpara bisedimeve të tyre të rëndësishme me nënpresidentin JD Vance dhe sekretarin e shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën në Uashington.