Sot mbahet takimi i liderëve në Maqedoni

Me iniciativë të Kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sot në Klubin e Deputetëve do të mbahet takimi i liderëve me kryetarët e partive parlamentare që kanë grupe parlamentare në Kuvend.

Siç është paralajmëruar, në takim do të diskutohen ligjet reformuese në fushën e gjyqësorit, zgjedhja e Avokatit të Popullit, ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe mundësia e shfuqizimit të qeverisë teknike, si dhe çështje të tjera të propozuara nga pjesëmarrësit.

Nga partitë opozitare, krerët e “Të Majtës” dhe BDI-së, Dimitar Apasiev dhe Ali Ahmeti, konfirmuan pjesëmarrjen e tyre. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, refuzoi ftesën për një takim të liderëve.

Filipçe në një konferencë për shtyp më 8 janar deklaroi se nuk pranon bisedime për shfuqizimin e qeverisë teknike, duke akuzuar Kryeministrin se kërkon “alibi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme”.

Sipas tij, qeveria teknike duhet të mbetet si garanci për zgjedhje të drejta dhe një mekanizëm për parandalimin e abuzimit me institucionet. Lidhur me ligjet reformuese, Filipçe theksoi se debati duhet të zhvillohet në Kuvend, ku LSDM do të mbështesë të gjitha zgjidhjet cilësore. Ai shtoi se partia do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare nëse ato shpallen.

Në takimin e liderëve të thirrur nga Mickoski pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, Bilall Kasami nga VLEN, Maksim Dimitrievski nga ZNAM.