Publikohet Fjalori i madh i shqipes që ndan dy akademitë

Fjalori i madh i gjuhës shqipe me 125 mijë njësi leksikografike llogaritet si fjalori më voluminoz i shqipes. Por, krejt kjo është bërë njëanshëm nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë pa bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Akademia e Shkencave e Shqipërisë këtë proces e kishte filluar po ashtu njëanshëm duke paralizuar edhe funksionimin e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, që përbëhej nga anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Nga ideja e standardizimit të leksikut për të vënë parimet bazë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë kishte kapërcyer te projekti për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe pa kurrfarë marrëveshjeje
Akademia e Shkencave e Shqipërisë të martën e ka publikuar në versionin online Fjalorin e madh të gjuhës shqipe. Bëhet fjalë për një fjalor me 125 mijë njësi leksikografike duke u renditur si fjalori më voluminoz i shqipes. Por, krejt kjo është bërë njëanshëm, pa bashkëpunimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Akademia e Shkencave e Shqipërisë këtë proces e kishte filluar po ashtu njëanshëm duke paralizuar po ashtu edhe funksionimin e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, që përbëhej nga anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Nga ideja e standardizimit të leksikut për të vënë parimet bazë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë kishte kapërcyer te projekti për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe pa kurrfarë marrëveshjeje. Këtë projekt do ta niste më 2021 duke angazhuar në grupet e punës disa studiues të Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Fjalori i publikuar në parathënie sqaron se posedon rreth 105 mijë fjalë në zëra të veçantë, pastaj rreth 3 mijë e 500 fjalë “të fshehura” në kuptime si emra, mbiemra e ndajfolje, rreth 12 mijë e 500 njësi frazeologjike, rreth 5 mijë togfjalësha terminologjikë, rreth një mijë e 200 emërtime shkurtësore, rreth 250 terma të rinj të paasimiluar fonetikisht, rreth 1.650 shprehje të huaja të paasimiluara e rreth 250 mijë kuptime leksikore. Bazuar në parathënie, Fjalori vjen si vepra leksikografike prej kohësh e munguar dhe mjaft e kërkuar nga shumë përdorues të gjuhës shqipe.

“Ky fjalor, duke pasqyruar në një masë e cilësi të re këto pasuri leksikore të shqipes bashkëkohore, më shumë se dy herë i vëllimit të të gjithë fjalorëve të mëparshëm shpjegues, në aspektin kombëtar bëhet ende tregues më i plotë i pasurisë, i lar­misë, i forcës dhe i bukurisë së gjuhës shqipe, pa kufizime territoriale, shoqërore, stilore, autoriale, apo edhe gjuhëformuese, sepse shprehëse më jetëso­re të shqipes krijon kështu mundësi të pandërprera, me lëndën e vet, që ajo t’i kryejë me funksionin më të nevojshëm e më hijeshi funksionet komunikuese në të gjitha gjinitë e ligjërimit e stileve të përdorimit”, shkruhet midis të tjerash në parathënien e gjatë.

Sipas hartuesve, ky Fjalor, duke qenë normativ, përveçqë ndihmon për ruajtjen e pastërtisë së shqipes e për njësimin gjuhësor sipas standardit, u shërben gjithashtu edhe të huajve që mësojnë e studiojnë shqipen thellësisht.

“Hartimi i një fjalori të përgjithshëm dhe shpjegues të tipit të madh ka qenë jo vetëm dëshirë e sinqertë e shumë brezave të hartuesve shqiptarë, por edhe nxitje për përgatitje të shumanshme: për ndërtimin e një projekti e të parashtresave me parime e kritere leksikografike, për konstitumin e grupit hartues e të grupeve të tjera të punës, për sigurimin e bazës materiale objektive (kartotekat leksikore e frazeologjike) etj.”, shkruhet në parathënie.
Aty sqarohet se: “Projekti, Parimet e kriteret leksikografike dhe Parashtresat u hartuan nga akademik prof. dr. Jani Thomai, si përfaqësues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), dhe akademik prof. dr. Valter Memisha, si përfaqësues i ish-Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA)”. Menjëherë sqarohet edhe një tjetër gjë.

“Projekti bashkë me grupin fillestar të autorëve të veprës u miratuan dhe u pranuan nga ASHSH e nga ASA, si dhe u mbështetën me bashkëpunimin e Institutit Albanologjik të Prishtinës (IAP) e të Universitetit të Kalabrisë (Kozencë), me leksikografë nga Universiteti i Tiranës, nga Universiteti “Fan S. Noli” i Korçës, nga Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës dhe nga leksikografë të tjerë nga Republika e Shqipërisë, nga Republika e Kosovës, nga Republika e Maqedonisë së Veriut, nga Palermoja”. Krejt kjo është bërë pa Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës e po ashtu pa miratim të leksikografëve të Universitetit të Prishtinës.

Pikërisht parimet ishin ato që ndanë Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, sa i përket projektit për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe.

“Në Këshillin Ndërakademik ishte paraparë të diskutoheshin çështjet e leksikut. Së pari, pra, do të përcaktoheshin parimet e punës dhe do të zgjidheshin dilemat. Ne, në Akademinë e Kosovës, nuk e kemi parë të arsyeshme të punojmë pa ato parime dhe nuk kemi pranuar të përfshihemi në atë mënyrë”, ka thënë gjuhëtari, profesori universitar e akademiku Bardh Rugova. Ka shtuar se nuk duan ta gjykojnë punën e askujt.

“Por mendoj se nuk mund të ketë projekte të gjuhës shqipe pa përfshirjen e ASHAK-ut. Shqipja nuk është e drejtë autoriale e askujt. Fjalorët, në radhë të parë, janë mjete standardizuese. Nuk do të duhej të hartoheshin në atë mënyrë, pa marrëveshje ndërinstitucionale”, ka thënë ai. Kurse sa i përket funksionit të Këshillit Ndërakademik, Rugova ka qenë po ashtu i prerë.

“Tani nuk ka më kuptim të ketë Këshill Ndërakademik. Për çfarë do të shërbente?”, ka thënë ai.

Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe e ka gjenezën në vitin 2004. Është ngritur me vendimin e ASHAK-ut dhe ASHSH-së të datës 27 tetor 2004. Siç përcaktonte rregulloja e punës së këtij grupimi, “Këshilli… është forum gjuhëtarësh që shqyrton probleme të përgjithshme e të veçanta të shqipes standarde dhe të funksionimit të saj në gjithë hapësirën e përdorimit të gjuhës shqipe”. Ky Këshill përbëhej nga 17 anëtarë dhe drejtohej nga dy bashkëkryetarë, fillimisht Shaban Demiraj nga ASHSH-ja dhe Rexhep Ismajli nga ASHAK-u. Nga ASHAK-u anëtarë të këtij Këshilli asokohe qenë: Rexhep Ismajli, Besim Bokshi, Idriz Ajeti, Imri Badallaj, Shefkije Islamaj, Isa Bajçinca dhe Abdullah Zymberi. Nën përkujdesjen e ASHAK-ut qe pjesëmarrës edhe Remzi Nesimi, anëtar i këtij Këshilli nga Maqedonia. Por ASHAK-u pas më shumë se një dekade njoftonte se derisa Këshilli ishte nën kryesimin e ASHAK-ut, nisi një punë të frytshme, “për t’u ndërprerë në vitet kur kryesimi i Këshillit kaloi nën kompetencë të ASHSH-së”.

“Gjatë vitit 2011 ASHAK-u ka zhvilluar kontakte dhe bisedime me ASHSH-në për aktivizimin e Këshillit, duke plotësuar të gjitha kërkesat që kanë ardhur nga ASHSH-ja, përfshirë edhe ndryshimet në rregullore dhe në strukturën organizative. Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i ASHAK-ut edhe në vitin 2012 do të angazhohet për të gjetur zgjidhjet sa më të përshtatshme për funksionalizimin e Këshilli Ndërakademik të Gjuhës Shqipe, duke marrë rol sa më bashkëpunues me strukturat udhëheqëse të ASHSH-së, të cilat tashmë janë identifikuar si pengesë kryesore e punës së këtij Këshilli”, shkruhej një njoftim. ASHSH-ja ka pasur telashe të mëdha përballë reformave e madje edhe aso probleme ku kryeministri Edi Rama kërcënonte nëpërmjet “Facebook”-ut për ndaljen e financave për këtë institucion. Më pas qe një tentim për një lloj rithemelimi të Këshillit më 2020 kur në krye të ASHSH-së qe akademik Skënder Gjinushi, i cili edhe aktualisht është kryetar. Krejt kjo u bë atë vit derisa dy kryetarët e akademive, Skënder Gjinushi dhe asokohe kryetar i ASHAK-ut Mehmet Kraja, nënshkruan në Tiranë protokollin e bashkëpunimit të ndërsjellë për periudhën 2020-2021. Më pas në takimet e dy kryesive qe vendosur që Këshilli të ketë 15 anëtarë, 7 nga ASHSH-ja, 7 nga ASHAK-u dhe një përfaqësues nga Maqedonia e Veriut. ASHAK-u zgjodhi anëtarët e vet në përbërje: akademik Rexhep Ismajli, bashkëkryetar, anëtarët korrespondentë Mehmet Halimi, Bardh Rugova dhe Shkumbin Munishi, profesorët Rrahman Paçarizi, Naim Berisha, Imri Badallaj, si dhe Lumnije Jusufi nga Maqedonia e Veriut. Por, nisma prapë do të ngecte.

“Megjithatë, përpjekjet për ‘rithemelim’ nuk rezultuan të frytshme dhe kontaktet nuk kanë qenë shumë aktive. Propozohet: të botohen materialet e deritashme të Këshillit brenda vitit 2022. Pastaj mund të rimendohet e tërë nisma”, shkruhet në “Vjetarin” e ASHAK-ut të vitit 2022.

Pavarësisht se në janar të vitit 2020 dy akademitë ishin marrë vesh për “rithemelimin” e Këshillit një vit më vonë, ASHASH-i nisi projektin për Fjalorin e madh të gjuhës shqipe pa u marrë vesh për parimet e standardizimit të leksikut me ASHAK-un. Redaksia e Fjalorit përbëhet nga: akademik Jani Thomai si kryeredaktor, akademik Valter Memisha në cilësinë e zëvendëskryeredaktorit dhe sekretarit shkencor, Shezai Rrokajt, po ashtu si zëvendëskryeredaktor dhe anëtarët Dhimitër (Miço) Samara, Shefkije Islamaj, akademik Gjo­valin Shkurtaj, Ali Jashari, Anila Omari dhe Anila Kananaj. Te hartuesit pos këtyre emrave figurojnë edhe: Artur Lama, Abdurr­ahim Maxhuni, Idriz Metani, Juliana Kume, Mimoza Priku, Naim Berisha, Rozana Rushiti, Teuta Toska, Rezarta Draçini, Sejdi Gashi, Manjola Zaçellari, Behar Hoxhaj, Resul Telhaj, Olger Brame, Engjëllushe Karaj, Petrit Zeneli dhe Viktor Bakillari.