“Serbia u ka shkaktuar shqiptarëve dhe Kosovës aq shumë të këqija, sa nuk falen kurrë. E megjithatë, ata falin…”
Bojana Vatić-aktiviste nga Novi Sadi
Pse kësaj pushteti, opozitës nacionaliste, si dhe shumicës së shoqërisë serbe të helmuar nga propaganda, u pengon kryeministri i Kosovës, Albin Kurti?
Së pari, sepse ai nuk ka “gjalpë në kokë”, siç kanë ata që janë në skenën politike të Serbisë.
Sepse nuk ka qenë në pazare me ta.
Nuk ka vjedhur, nuk ka vrarë, nuk ka kryer krime.
Sepse është arrestuar dhe burgosur për shkak se ka marrë pjesë në demonstrata kundër Slobodan Millosheviqit, duke mbrojtur popullin e vet nga politika kriminale e Millosheviqit.
Çfarë pret opozita nacionaliste e Serbisë nga ata që i nisën luftërat, që ishin frymëzuesit e tyre, që punuan me përkushtim dhe në mënyrë sistematike në propagandën e luftës, që morën pjesë në luftën në Kosovë, që morën pjesë në terrorin ndaj popullsisë shqiptare?
Që sot të ndjejnë përgjegjësi?
Ata që ishin pjesëmarrës, frymëzues, krijues, nxitës dhe bashkëpunëtorë?!
Pse kanë animozitet ndaj Kurtit?
E kanë, sepse Kurti u jep rezistencë përfundimtare ëndrrave të tyre dhjetëra-vjeçare të “Serbisë së Madhe” dhe demonstrimit të forcës së tyre, edhe pse ata dhe ajo politikë janë plotësisht të mposhtur.
Sepse Kurti ka mbështetjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare.
Sepse Kurti nuk është Thaçi.
Dhe do të donin të gjithë që ai të ishte.
Sepse, përveç të gjithave, Albin Kurti ka treguar se është zotëri, ndryshe nga shumica e nacional-shovinistëve në skenën politike serbe, dhe se, pavarësisht viktimave të mëdha të spastrimit etnik të popullit shqiptar, Kurti sot shtrin dorën e pajtimit dhe ndërton politikë paqeje, ndërton institucionet e Kosovës dhe një shoqëri demokratike, duke mos pranuar asnjë kompromis të kalbur me ata që përpiqen të bëjnë pazare me të dhe me Kosovën.
Sepse Kurti i quan gjërat me emrin e vërtetë.
Sepse i paralajmëron.
Sepse, si kryeministër i Kosovës, ai konsideron se Kosova nuk është as shqiptare e as serbe, por një shoqëri multietnike dhe qytetare. Edhe pse që nga shpallja e pavarësisë 93 për qind e popullsisë janë shqiptarë, ai nuk e nacionalizon shoqërinë kosovare dhe konsideron se për këtë arsye formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është i mundur, sepse është kundër Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Sepse konsideron, me të drejtë të plotë, se Serbia duhet të dëmshpërblejë dëmin që ia ka shkaktuar Kosovës.
Sepse Serbia ka kryer krime në Kosovë!
Shtrohet pyetja për ju – “mosdorëzues”, “ndodh-vitin-tjetër”, qytetaristë të rremë, demokratë të rremë dhe shovinistë të fshehur:
Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës
Çfarë nuk ju është e qartë?
Dhe çfarë doni më shumë nga ajo që nuk e keni?
Opozitë demokratike, kush nga ju tha qoftë edhe një fjalë për civilët shqiptarë dhe fëmijët e hedhur në gropa masive në Batajnicë, kur erdhët në pushtet?
Sa jeni përballur ju me të gjitha krimet, duke bërë seleksionim se çfarë lejohet e çfarë nuk lejohet të dalë në publik?
Të kujt janë trupat që u transportuan me kamionë frigoriferikë nga Kosova, vetëm disa kilometra larg Beogradit tuaj?
Kush e pengoi zbardhjen e së vërtetës? Kush i varrosi ato viktima edhe pas Slobodan Millosheviqit, të cilit iu gjykua për krime?
Dhe ku është, në fund, përgjegjësia juaj sot?
Kush ju jep të drejtën që sot t’i bëni vërejtje Kurtit, kryeministrit të Kosovës, një shqiptari, i cili lufton kundër kriminelëve dhe trashëgimisë së viteve ’90, se nuk po bën diçka të mirë në shtetin e tij, vetëm sepse ai përballet me Vuçiqin, me të cilin ju nuk dini të përballeni, sepse në thelb nuk dalloni fare nga ai?
Sepse ju nuk i kaloni “vijat e kuqe”!
Dhe ndaloni së barazuari Kurtin me Vuçiqin, sepse NUK JANË TË NJËJTË.
Ndaloni relativizimin e gjithçkaje gjatë këtyre 30 viteve, përfshirë edhe sot konfliktin në Kosovë.
Serbia u ka shkaktuar shqiptarëve dhe Kosovës aq shumë të këqija, sa nuk falen kurrë.
E megjithatë, ata falin.
Pavarësisht gjithçkaje, ata duan paqe, duan të ardhme, duan t’i lini të qetë, sepse të gjitha të këqijat u janë shkaktuar nga Beogradi në tridhjetë vitet e fundit, dhe secili prej jush mban një pjesë të asaj përgjegjësie.
Ju kërkoni të drejta, kërkoni zgjidhje më të mira – ju që nuk keni merituar asgjë, madje as manastiret serbe në Kosovë, të cilat, për ironi, i ruanin po ata shqiptarë, ndërkohë që “rojet e serbizmit” digjnin çdo xhami në Bosnje dhe gjithçka që nuk ecte “në dy këmbë serbe”.
Ju sot kërkoni diçka?
Ju, kolektivisht, mundeni vetëm të gjunjëzoheni si Willy Brandt në Varshavë dhe të kërkoni falje të sinqertë nga të gjithë ata të cilëve u keni shkaktuar të këqija, për ta larë njollën nga populli serb.
Edhe ju që keni kryer krime,
edhe ju që nuk gjykoheni,
edhe ju që gjykoheni,
edhe ju të dënuarit,
edhe ju që e keni heshtur krimin dhe që sot nuk guxoni ta thoni të vërtetën.
Ndoshta atëherë do të faleni.
Mbështetje e plotë institucioneve të Kosovës në zbatimin e demokracisë.




