Suedia do të shpenzojë 437 milionë dollarë për sisteme dronësh pa pilot që do të dorëzohen gjatë dy viteve të ardhshme, tha të hënën Ministri i Mbrojtjes i vendit, Pal Jonson.
Anëtari i NATO-s do të blejë sisteme pa pilot, duke përfshirë dronë sulmi me rreze të gjatë veprimi, sisteme lufte elektronike dhe dronë mbikëqyrjeje, si dhe dronë mbikëqyrjeje detare dhe pastrimi nga minat.
“Askush nuk e di se si do të duket lufta e ardhshme, por një gjë është e qartë, fusha e betejës së ardhshme do të karakterizohet nga sisteme pa pilot dhe kapacitet me rreze të gjatë veprimi. Kushdo që nuk e kupton këtë do të jetë ose i vdekur ose i mundur. Lufta, siç e dimë, është një mësuese mizore”, tha Jonson në konferencën vjetore të mbrojtjes të Suedisë në Salen, në veri të Suedisë.
Suedia, anëtare e Bashkimit Evropian, e cila iu bashkua Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në mars të vitit 2024, ka rritur shpenzimet e përhershme ushtarake që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Qeveria suedeze po merr hua gjithashtu 300 miliardë korona për të përshpejtuar blerjen e pajisjeve të reja, të tilla si sistemet e mbrojtjes ajrore , nëndetëset dhe anijet sipërfaqësore .




