“Vazhduan të vrisnin pa ndalur” – Dëshmitarët përshkruajnë shtypjen e dhunshme në Iran

Omid, një protestues në të 40-tat e tij nga një qytet i vogël në jug të Iranit, rrëfen me frikë për ngjarjet e fundit, duke kërkuar të mbajë anonimitetin e tij për sigurinë personale. “E pashë me sytë e mi, qëlluan direkt mbi rreshtat e protestuesve dhe njerëzit ranë aty ku qëndronin,” thotë ai. Ai ka dalë në rrugë për të protestuar ndaj vështirësive ekonomike që përkeqësohen dita-ditës dhe thotë se forcat e sigurisë kanë përdorur armë automatike kundër protestuesve të paarmatosur.

Dëshmi të ngjashme, raporton BBC-ja se ka marrë nga qytete të ndryshme të Iranit, ku pas protestave të përhapura javën e kaluar, autoritetet ndërprenë qasjen në internet, duke e bërë raportimin shumë më të vështirë.

Protesta më e madhe kombëtare u zhvillua të enjten, natën e dymbëdhjetë të demonstratave. Dita pasuese, Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei deklaroi se “Republika Islamike nuk do të tërhiqet,” dhe duket se masakra më e madhe ndodhi pas këtij paralajmërimi, kur forcat e sigurisë dhe Gardës Revolucionare Islame zbatuan urdhrat e tij. Autoritetet iraniane akuzuan SHBA-në dhe Izraelin për nxitje trazirash dhe dënuan “veprimet terroriste,” sipas mediave shtetërore.

Një grua e re nga Teherani përshkroi të enjten e kaluar si “ditën e gjykimit”. “Edhe lagjet më të largëta të Teheranit ishin mbushur me protestues, vende që nuk do t’i besoje,” tha ajo. “Por të premten, forcat e sigurisë vetëm vrisnin pa ndalur. Ta shihje me sytë e tu ishte aq traumatike sa humba totalisht moralin. E premtja ishte një ditë e përgjakshme.”

Pas vrasjeve, njerëzit u frikësuan të dilnin në rrugë dhe filluan të brohorisnin nga oborret dhe brenda shtëpive të tyre. “Teherani ishte një fushëbetejë,” tha ajo, “me protestues dhe forca sigurie që merrnin pozicione dhe mbulesë në rrugë. Por në luftë, të dyja palët kanë armë. Këtu njerëzit vetëm brohorasin dhe vriten. Është një luftë njëanshme.”