U refuzua seanca emergjente për shembjet në Tetovë, sipas kryetarit të këshillit kërkesa ishte e pabazë

Kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës, Jusuf Abduli nuk e ka pranuar kërkesën nga këshilltari i AKI-së Arlind Murtezani për thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme me rastin e shembjeve pas reshjeve. Sipas Abdulit kërkesa ishte e pabazë dhe organet komunale punojnë në terren për tu dalë në ndihmë qytetarëve, shkruan Portalb.mk.

Këshilltari komunal nga AKI-ja nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Arlind Murtezani, më 9 janar 2026 parashtroi kërkesë deri te kryetari i Këshillit Komunal të Komunës së Tetovës, Jusuf Abduli, për thirrje të seancës së jashtëzakonshme për shkak të situatës emergjente të shembjes së murit mbrojtës në Rrugën 146 pas reshjeve.

Foto: Arlind Murtezani (Facebook)
Foto: Arlind Murtezani (Facebook)

Megjithatë, dy ditë më vonë, më 11 janar 2026, Murtezani njoftoi se kërkesa nuk është pranuar nga kryetari i këshillit.

Ai tha se përgjigjja e kryesuesit të Këshillit Komunal lidhur me kërkesën e tij është zhgënjyese, por edhe juridikisht dhe moralisht e papranueshme.

“Rregullorja e Punës së Këshillit Komunal, konkretisht neni 24, parasheh qartë se mbledhja e jashtëzakonshme thirret në raste emergjente kur cenohet siguria publike, jeta dhe prona e qytetarëve. Në këtë rast, kemi të bëjmë me shembje të murit, largim të detyruar të familjeve nga banesat e tyre dhe rrezik real për jetë njerëzish. Këto janë fakte, jo supozime”, tha Murtezani.

Ai shtoi se është paradoksale dhe e papranueshme që kryesuesi refuzon thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme për një çështje që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë publike, ndërkohë që i njëjti kryesues ka thirrur mbledhje të jashtëzakonshme për zbukurime të qytetit për fundvit.

I pyetur nga Portalb.mk se pse e refuzoi këtë kërkesë, kreu i këshillit komunal Jusuf Abduli tha se kërkesa ishte e pa bazë dhe se komuna punon në këtë drejtim.

“Edhe pse kërkesa e këshilltarit ishte e pa bazë, ose ndoshta nuk ishte i njoftuar, për kompetencat dhe cilët organe fillimisht merren me raste të këtilla. E njoftova këshilltarin në fjalë, se organet kompetente Komunale po e trajtojnë rastin e shembjes së murit në lagjen 146. Por edhe për shembjen e dheut në rrugën e Banjës, organet kompetente Komunale po punojnë në teren me ekipet e veta për tu dalë në ndihmë qytetarëve”, tha Abduli.

Ai shtoi se kur do jetë nevoja dhe kur organet kompetente do të nxjerrin vlerësimet e veta, Këshilli i Komunës do të miratojë akte të nevojshme për të iu dalë në mbështetje qytetarëve.

Si pasojë e reshjeve ditëve të fundit, në lagjen 146 u shemb një mur, ndërsa rruga e Banjës së Tetovës u bllokua disa herë për shkak të shembjeve të dheut dhe rënies së shkëmbit, ku më pas u ndërhy për lirimin e së njëjtës.