KQZ teknikisht e gatshme për të shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pret përfundimin e ankesave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është teknikisht i gatshëm për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, por ky hap do të ndërmerret vetëm pas përfundimit të plotë të procesit të të ankesave.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një deklaratë për Telegrafin.

Sipas Elezit, KQZ aktualisht është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave që kanë të bëjnë me administrimin e numërimit në Qendrat e Numërimit të Rezultateve (QNR), si dhe të plotfuqishmërisë së vendimeve dhe zbatimit të tyre.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të përfundimit të shqyrtimit të ankesave për administrimin e numërimit në QNR, të plotfuqishmërisë së vendimeve dhe të zbatimit të tyre, nëse këto vendime e detyrojnë ndonjë gjë KQZ-në. Vetëm pas kësaj, KQZ do të procedojë me shpalljen e rezultatit përfundimtar”, ka deklaruar Elezi.

Ai ka sqaruar po ashtu se shpallja e rezultateve përfundimtare nuk nënkupton përmbylljen e plotë të procesit zgjedhor, pasi ligji u jep të drejtë subjekteve politike dhe kandidatëve që të parashtrojnë ankesa edhe ndaj vetë rezultatit.

“Subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë ankese ndaj rezultatit, fillimisht në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), e më pas çështja mund të procedohet deri në Gjykatën Supreme. KQZ është e obliguar të presë këto vendime, t’i zbatojë ato dhe vetëm pas kësaj të procedojë me certifikimin e rezultateve”, ka theksuar zëdhënësi i KQZ-së.

Ndërkohë, Gjykata Supreme e Kosovës ka konfirmuar për Telegrafin se aktualisht nuk ka asnjë ankesë të paraqitur në këtë institucion lidhur me zgjedhjet.

“Lidhur me kërkesën tuaj, bazuar në informacionet nga Zyra për Menaxhimin e Lëndëve, aktualisht nuk ka ndonjë ankesë lidhur me Zgjedhjet, të paraqitur në Gjykatë Supreme”, ka deklaruar Antigona Uka-Lutfiu, udhëheqëse e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media.
Megjithatë, Uka-Lutfiu ka theksuar se nga Gjykata Supreme gjatë këtij viti është shqyrtuar një ankesë lidhur me zgjedhjet, e cila është refuzuar si e pabazuar.

Ndërsa deri në fund të vitit 2025, Gjykata Supreme ka pranuar gjithsej tri ankesa: dy prej tyre janë refuzuar si të pabazuara, ndërsa një ankesë është hedhur poshtë si e paraqitur jashtë afatit ligjor.

Ndryshe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), aktualisht në shqyrtim janë katër ankesa.

Procesi zgjedhor pritet të vazhdojë në përputhje me afatet ligjore, ndërsa KQZ ka theksuar se do të veprojë vetëm pasi të përmbyllen të gjitha procedurat ankimore dhe vendimet përkatëse të bëhen të plotfuqishme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten më 9 janar, ka përfunduar numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.