Deputeti i vetëm shqiptar në Serbi, e refuzon Mirënjohjen nga Qeverisë serbe
Shaip Kamberi refuzon ta pranoj mirnjohjen nga Qeveria e Serbisë dhënë nga trupi koordinues i cili thotë:
Nuk mund dhe nuk dëshiroj të jem mbajtës i një mirënjohjeje si kjo!
Në fund të vitit, në adresën time, më ka ardhur një mirënjohje të cilën, me postë, ma kishin dërguar nga Trupi Koordinues i Qeverisë së Serbisë për komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Trupi Koordinues i Qeverisë së Republikës së Serbisë, me rastin e shënimit të 25-vjetorit të themelimit të tij, u ka ndarë mirënjohje disa personave për të cilët vlerëson se kanë dhënë kontribut për paqen dhe stabilitetin në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ndër fituesit e kësaj mirënjohjeje jam edhe unë, në cilësinë e deputetit në Kuvendin Popullor të Republikës së Serbisë.
Megjithatë, e konsideroj të domosdoshme të theksoj publikisht faktin se Trupi Koordinues, veçanërisht që nga zgjedhja e udhëheqjes aktuale, është larguar ndjeshëm nga qëllimet për të cilat është themeluar. Këto qëllime janë, para së gjithash:
– integrimi i komunitetit shqiptar në institucionet shtetërore dhe publike të Republikës së Serbisë,
– zhvillimi ekonomik i kësaj zone të lënë pas dore dhe të dëmtuar për një kohë të gjatë.
Prej vitesh, udhëheqja aktuale e Trupit Koordinues shmang marrjen e përgjegjësisë për zbatimin e plotë dhe konsekuent të Planit shtatë pikësh, dokumentit me të cilin janë përcaktuar qartë fushat kryesore shoqërore dhe politike ku duhej të sigurohej integrimi i pakicës kombëtare shqiptare.
Njëkohësisht, buxheti i Trupit Koordinues që nga viti 2015 ka mbetur praktikisht në të njëjtin nivel nominal. Në kushtet e inflacionit të lartë dhe rritjes drastike të çmimeve, veçanërisht në fushën e infrastrukturës dhe ndërtimit, kjo ka çuar në uljen reale të kapaciteteve zhvillimore të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke bërë që nevojat e qytetarëve të mbeten shumë poshtë minimumit që shteti duhet të sigurojë.
Fakt shtesë shqetësues është se drejtuesit aktual të Trupit Koordinues publikisht relativizojnë, kritikojnë ose mohojnë kërkesat politike të shqiptarëve, të cilat tashmë janë pranuar zyrtarisht nga Qeveria e Republikës së Serbisë, përfshirë Planin shtatë pikësh (2013) dhe Planin e Veprimit (2022).
Veçanërisht e konsideroj të papranueshme që, vetëm disa ditë pas shënimit të 25-vjetorit të themelimit, kryetari dhe drejtori i Trupit Koordinues i kanë ndarë mirënjohje Aleksandar Vulinit, ish-ministër dhe ish-drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit.
Bëhet fjalë për një person që, në kohën e themelimit të Trupit Koordinues, nuk ka pasur asnjë rol institucional dhe, rrjedhimisht, nuk mund të lidhet me formimin e tij apo me proceset e paqes në këto komuna.
Po ashtu, bëhet fjalë për një figurë publike e cila prej vitesh njihet për retorikë hapur antishqiptare, përdorimin e termave fyese ndaj shqiptarëve, promovimin e idesë së pasivizimit të shqiptarëve, si dhe për promovimin e ideve dhe projekteve që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë konceptin e ashtuquajtur “Bota Serbe”.
Qëndrime dhe veprime të tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me misionin themelor të Trupit Koordinues – ndërtimin e besimit, paqes dhe bashkëpunimit ndëretnik.
Për të gjitha arsyet e lartpërmendura, nuk mund dhe nuk dëshiroj të jem mbajtës i një mirënjohjeje nga një institucion i cili, me veprimtarinë aktuale dhe zgjedhjen e laureatëve, e cenon qëllimin dhe kredibilitetin e vet. Po ashtu, nuk pranoj të barazohem në të njëjtën kategori mirënjohjeje me një person që shfaq hapur albanofobi dhe mosdurim ndaj komunitetit shqiptar.
Rrjedhimisht, ia kthej mirënjohjen e dhënë Trupit Koordinues të Qeverisë së Republikës së Serbisë.
Mbetem i përkushtuar ndaj angazhimit për paqe, barazi institucionale, respektim të të drejtave të komunitetit shqiptar dhe zbatim të plotë të detyrimeve që Republika e Serbisë tashmë i ka marrë përsipër.




