Reshjet e shiut dhe borës shkaktuan dëme të shumta në disa rajone të vendit – njoftojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK). Në Demir Hisar, Resnjë, Krushevë, Dollnen, Ohër, Strugë, Kërçovë, Gostivar dhe Tetovë është njoftuar për përmbytje, ura, oborre, shtëpi, magazina dhe rrugë të dëmtuara. Nga Qendra për Menaxhim me Kriza thonë se shërbimet kompetente po ndërhyjnë, ndërsa rreth 150 persona në Kërçovë janë evakuuar.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se për shkak të reshjeve të shumta të borës, dy punonjës të një operatori celular nga Shkupi mbetën të bllokuar, ndërsa lëviznin me një automjet terreni mbi Llazaropole. Kërkimi për ta zgjati nëntë orë, pasi nuk mund të vendosej kontakt për shkak të mungesës së sinjalit celular. Ata u evakuuan dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike njoftojnë se gjatë 24 orëve të fundit reshjet më të mëdha të borës janë regjistruar në Mavrovi Anovi, në Pozharan, Ohër e Krushevë. Shtresa më e madhe e borës është në Kodrën e Diellit edhe atë 31 centimetra, në Krushevë 14 centimetra, ndërsa në Ohër dhe Gjurishtë 5 centimetra. Në Tetovë dhe Berovë bora është 2 centimetra. Sipas sinoptikanëve sot moti do të jetë me vranësira dhe i ftohtë, me reshje të herëpashershme lokale të borës, veçanërisht në zonat malore.
Qarkullimi në rrugët shtetërore në të gjithë vendin po zhvillohet në kushte dimërore, ndërsa në disa akse rrugore ende ka kufizime për lëvizjen e mjeteve të rënda motorike. Nga Lidhja Automoto njoftojnë se ndalesa për qarkullimin e automjeteve të rënda të mallrave vlen në aksin rrugor udhëkryqin Mavrovë – Dibër, si dhe në segmentin Strugë – pikëkalimi kufitar Qafë Thanë në të dy drejtimet. Nga ky mëngjes është hequr ndalesa për mjetet e rënda të mallrave në aksin Gostivar – Kërçovë përmes kalimit malor Strazhë, ndërsa të gjitha akset e tjera rrugore janë të kalueshme, por rrugët janë kryesisht të lagështa. Nga Lidhja Automoto apelpojnë për kujdes të shtuar në rrugët Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë, ku ekziston rrezik nga rrëshqitja. /Alsat.mk






