Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetari i saj, Lumir Abdixhiku kanë çmuar veprën e Enver Malokut në 27-vjetorin e vrasjes së tij.
Në një postim në Facebook, LDK-ja ka thënë se Maloku ishte një prej themeluesve të fjalës së lirë në Kosovë.
Tutje ka kërkuar zbardhjen e plotë të vrasjes së tij.
“Enver Maloku ishte patriot i madh, veprimtar i palodhur i lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci dhe një nga figurat më të rëndësishme të publicistikës kosovare. Si themelues i Qendrës për Informim të Kosovës, ai hapi një dritare të fuqishme informimi në kohën e errësirës së madhe, duke e bërë të vërtetën e Kosovës zë që dëgjohej në mbarë botën. Përmes shkrimeve dhe lajmeve të tij, Maloku denoncoi dhunën, masakrat, gjenocidin dhe eksodin e popullit të Kosovës”, thuhet në postimin e LDK-së.
LDK-ja tutje në postim ka shkruar se më 11 janar 1999, ai u vra pranë banesës së tij në Prishtinë, në moshën 45-vjeçare.
“Ndonëse nuk arriti ta përjetojë lirinë për të cilën punoi gjithë jetën, vepra e tij mbeti themel i fuqishëm i saj dhe trashëgimi e përhershme për brezat që gëzojnë sot këtë liri. Enver Maloku ka lënë gjurmë të pashlyera si burrë i guximshëm, gazetar idealist i një bote të lirë e pa censurë, intelektual i rrallë dhe veprimtar i patrembur. LDK, familja dhe bashkëveprimtarët vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e plotë të vrasjes së tij, e cila mbetet plagë e hapur për shoqërinë. Sot nuk kujtohet vetëm njeriu që dha gjithçka për Kosovën, por edhe idealet e tij që mbeten udhërrëfyes për të ardhmen, besimi në lirinë e shprehjes, në fuqinë e fjalës dhe në mbrojtjen e vlerave kombëtare”, thuhet në postimin e LDK-së.




