Një muaj paraburgim për katër nga 39 të dyshuarit për keqpërdorime në BKS

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj katër të dyshuarve për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS). Ndërkaq, ndaj 35 të dyshuarve të tjerë është caktuar masa të paraqitjes në stacion policor.

Në njoftim, Gjykata tha se S.M., V.B. dyshohet në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale: keqpërdorim i besimit dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike.

Bëhet fjalë për ish-drejtorin ekzekutiv të BKS-së, Sami Mazreku, dhe ish-drejtori i Financave i BKS-së, Valon Berisha, hetimet ndaj të cilëve kanë nisur në mars të vitit të kaluar, sipas Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Berisha po ashtu dyshohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve. F.S., ndërkaq, sipas Gjykatës dyshohet për falsifikim të dokumenteve dhe keqpërdorim të besimit, vepër për të cilën dyshohet edhe Y.Ç.

Kurse, 35 të pandehurit e tjerë, dyshohen për veprat penale keqpërdorimi i besimit, në ndihmë, tha Gjykata në Prizren.

“Ndaj 35 të pandehurve, është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor, si dhe masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, në kohëzgjatje prej një muaji, e cila masë mund të zgjasë deri më datë 08.02.2026, ashtu që obligohen të pandehurit një herë në javë të paraqiten në stacionin policor përkatës ku e kanë vendbanimin, dhe i ndalohet të pandehurve që t ‘iu afrohen të dëmtuarës BKS, si dhe të pandehurve të tjerë”, tha Gjykata.

Nëse ata nuk i respektojnë këto masa, do të dërgohen në paraburgim, u tha në njoftim.

Gjykata tha se masa e paraburgimit për katër të pandehurit ishte e domosdoshme, me qëllim të “parandalimit të arratisjes”, pengimit të zhvillimit të hetimeve apo ndikimit ndaj dëshmitarëve.

Më 8 janar, Prokuroria Themelore në Prizren zhvilloi një aksion në disa rajone pas dyshimeve për keqpërdorime në BKS.

Kryeprokurori në Prizren, Petrit Kryeziu, tha se të pandehurit dyshohen se i kanë shkaktuar dëm byrosë në vlerë mbi 1 milion euro.

Mazreku dhe Berisha – që u lanë në paraburgim – dyshohen se i kanë keqpërdorur autorizimet e BKS-së duke ua mundësuar personave të ndryshëm, dhe përmes tyre edhe, të kryejnë transaksione të jashtëligjshme.

Kryeprokurori Kryeziu ka deklaruar Mazreku e Berisha “kanë arritur përfitime të mëdha për vete dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së”.

Gjatë aksionit, autoritetet sekuestruan 23.700 euro, ari, aksesorë, orë dore të ndryshme dhe pajisje elektronike gjatë bastisjeve, njoftoi Kryeziu.

Kryeprokurori tha po ashtu se në bashkëpunim të ngushtë me inteligjencën financiare, janë ngrirë 1.3 milion euro.

Në ditën kur u krye aksioni, BKS-ja tha se ishte palë e dëmtuar dhe rasti u iniciua nga ajo si rezultat i “i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm”.

Byroja Kosovare e Sigurimit është organizatë jofitimprurëse, e cila është përgjegjëse për administrimin e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve në Kosovë, dhe mbikëqyret nga Banka Qendrore e Kosovës.

Ajo u themelua më 7 gusht 2011, bazuar në Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia./REL