Protestat hyjnë në ditën e 13-të, Khamenei: Irani nuk do të dorëzohet

Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, deklaroi se republika islame nuk do të tërhiqet përballë protestave më të mëdha të viteve të fundit. Në një fjalim të shkurtër të transmetuar nga televizioni shtetëror, Khamenei e quajti lëvizjen “veprim të banditëve dhe sabotuesve”, duke paralajmëruar se forcat e sigurisë do të mbrojnë revolucionin pa kompromis.

Protestat, të nisura për shkak të rritjes së kostos së jetesës dhe kërkesave për ndryshimin e sistemit klerikal, kanë hyrë në ditën e 13-të dhe janë përhapur në të gjithë vendin. Mijëra qytetarë marshuan dje në rrugët e Teheranit, duke brohoritur “vdekje diktatorit” dhe sfiduar autoritetet.

Autoritetet iraniane vendosën një bllokim total të internetit, duke kufizuar komunikimin dhe duke penguar raportimin e dhunës ndaj demonstruesve. Organizata Amnesty International paralajmëroi se ky kufizim ka për qëllim të fshehë shkelje serioze të të drejtave të njeriut.

Sipas Iran Human Rights, të paktën 51 persona janë vrarë, përfshirë 9 fëmijë nën 18 vjeç, ndërsa qindra të tjerë janë plagosur. Forcat e sigurisë kanë përdorur armë zjarri, gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë demonstruesit, shumica të paqësorë.

Khamenei akuzoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Donald Trump, duke thënë se duart e tyre janë “të njolla me gjakun e iranianëve”. Në reagim, presidenti amerikan paralajmëroi se SHBA do të veprojë fuqishëm nëse autoritetet iraniane vazhdojnë të vrasin protestues. Ministri i Jashtëm iranian deklaroi se Uashingtoni dhe Izraeli po përpiqen të shndërrojnë protestat paqësore në dhunë.

Në disa qytete të Iranit, mijëra qytetarë dolën gjithashtu në rrugë për të mbështetur qeverinë, duke brohoritur sloganet e regjimit. Situata mbetet e tensionuar ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon të ndjekë zhvillimet dhe të kërkojë respektimin e të drejtave të njeriut.