SHBA-ja kërcënoi të marrë Grenlandën me forcë – partitë politike të ishullit reagojnë njëzëri

Partitë politike të Grenlandës shfaqën një qëndrim të përbashkët në përgjigje të pretendimeve të presidentit të SHBA‑s, Donald Trump, për ishullin e madh arktik.

Në një deklaratë të nënshkruar nga pesë parti në parlamentin grenlandez, u theksua se të ardhmen e vendit duhet ta vendosë vetë populli i Grenlandës, jo Shtetet e Bashkuara, raporton france24.

Partitë i kërkuan SHBA‑ve që të ndalojnë qasjen e tyre të “mungesës së respektit” ndaj tokës grenlandeze, duke insistuar se Grenlanda nuk është për “blerje” apo sundim të huaj.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka ripërsëritur pretendimet rreth Grenlandës, duke thënë se SHBA-ja duhet të veprojë për të parandaluar që Kina apo Rusia të marrin kontrollin e këtij territori strategjik.

Ai deklaroi se synon të arrijë këtë qëllim “në një mënyrë më të lehtë”, por shtoi se nëse nuk arrijnë kështu, do ta bëjnë “në një mënyrë më të vështirë”.

Fjala e tij ka shkaktuar shqetësim ndërkombëtar, pasi ai nuk ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake apo presionit ekonomik për të arritur objektivin e tij.

Grenlanda është një territor me rreth 57 mijë banorë dhe është nën sovranitetin e Danimarkës, një aleat i NATO‑s, e cila ka hedhur poshtë këto pretendime.