Ali Ahmeti nga Gostivari: Aleanca Kombëtare për Integrim është besëlidhja e shqiptarëve për të ardhmen

Në tubimin përmbyllës zgjedhor që u mbajt sonte në Gostivar, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, mbajti një fjalim të fuqishëm politik në mbështetje të kandidatit për kryetar komune, Valbon Limani, duke theksuar unitetin politik të shqiptarëve përmes Aleancës Kombëtare për Integrim.

Ahmeti theksoi se kjo aleancë përfaqëson unifikimin e strategjisë politike të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe një besëlidhje të qartë për mbrojtjen e vlerave të arritura ndër vite, njofton TS.

“Ne kemi një fytyrë dhe kemi një besëlidhje. Ajo besëlidhje ka emër: Aleanca Kombëtare për Integrim”, deklaroi Ahmeti, duke mohuar zërat për përçarje apo qëndrime të dyfishta brenda koalicionit.

Ai u shpreh kritik ndaj, siç i quajti, përpjekjeve për të penguar gjeneratat e reja dhe projektet zhvillimore në Gostivar, duke vlerësuar se mbështetja për Valbon Limanin dhe Valdet Xhaferin është mbështetje për progresin dhe të ardhmen e komunës.

Tubimi përmbyllës u zhvillua në një atmosferë entuziaste, në prag të zgjedhjeve lokale të 11 janarit, ku Ahmeti bëri thirrje për mobilizim dhe dalje masive në votime në mbështetje të numrit 3./TS