Suzana dhe Arlinda janë dy emrat që u propozuan nga presidentja Siljanovska për në Këshillin Gjyqësor

Në Kuvend janë dorëzuar materialet për zgjedhjen e Suzana Joshevska Anastasovska dhe Arlinda Kadri Shahinoviq për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut me propozim të presidentes Gordana Siljanovska Davkova.

Arlinda Kadri-Shahinoviq është profesoreshë universitare me karrierë akademike shumëvjeçare në Fakultetin për Shkenca Juridike dhe Politike në Universitetin FON dhe MIT, ndërsa në publik është e njohur edhe si ish anëtare e Komisionit për amnisti. Suzana Joshevska Anastasovska është avokate me praktikë shumë vjeçare, veçanërisht në çështjet penale.

Propozimet vijojnë pas miratimit të Ligjit të ri për Këshill Gjyqësor më 29 dhjetor, i cili sjell ndryshime për rritje të transparencës dhe llogaridhënies, për të publikuar procedurat, për të specifikuar kriteret për zgjedhjen e një “juristi të shquar” dhe përforcimin e përgjegjësisë disiplinore të anëtarëve.

Këshilli gjyqësor numëron 15 anëtarë nga të cilët tetë i zgjedhin gjyqtarët, tre Kuvendi, dy i propozon presidenti i shtetit, ndërsa dy janë anëtarë sipas detyrës – kryetari i Gjykatës Supreme dhe ministri i drejtësisë, pa të drejtë vote.

Pritet që propozimet e presidentes të hyjnë në procedurë të Kuvendit nga e hëna.

Më 29 dhjetor, Parlamenti miratoi Projektligjin për Këshillin Gjyqësor me 73 vota “pro” dhe 1 “abstenim”. Ky ligj vendos bazat për një Këshill Gjyqësor të fortë, të pavarur dhe transparent, me qëllim forcimin e besimit të qytetarëve në gjyqësor.

Kujtojmë se ligji në fjalë është pjesë e Agjendës reformuese, që kishin afat miratimi deri në qershor, por që vendi nuk arriti ta përmbushë në kohë.

Kujtojmë se një javë pasi hyri në procedurë parlamentare, Projektligji për Këshillin Gjyqësor, i cili duhet të kapërcejë dobësitë e zgjidhjes paraprake ligjore bazuar në rekomandimet e Misionit të Vlerësimit të BE-së, iu dorëzua Komisionit Evropian për mendim. Nuk dihet nëse vendi ka pritur përgjigjen e Komisionit, apo jo, kjo nuk është bërë e ditur nga institucionet përkatëse.