“Zoti na ka ruajtur”/Muri shemb dy shtëpi në Tetovë! Dy familje tani jetojnë me qira, kërkojnë masa dhe kompensim

 “Djali ka qenë duke flet? Po, djali ka qenë këtu kur ka ra muri, edhe për pak Zoti më ka shpëtuar, Zoti e ka ruajt se unë kam qenë në rrezik prej krejtve, rrezikun më të madh e kam pas unë”, tha Dilaver Jashari.

Ky është Dilaver Jashari, banor i Tetovës. Shirat e mëngjesit të djeshme kanë shembur një mur në lagjen 146. Si pasojë janë dëmtuar dy shtëpi, dhe një e tretë është ende në rrezik. Dilaver Jashari thotë se është dëmtuar shumë, ndërsa tash nuk mund të qëndrojë më në shtëpi dhe ka dalë me qira.

 “Në mëngjes kemi qenë në gjumë dhe vetëm kur e dëgjuam zhurmën, dolëm jashtë. Siç e shihni, kur pamë murin poshtë, ora ishte katër e gjysmë. Kur e pamë kishte rënë, dhe kur dolëm ora ishte shtatë, atëherë pjesa e murit ma dëmtoi shtëpinë. Prej dje që më ka ndodhur nuk jetoj këtu. Më kanë thënë të mos jetoj se është rrezik. Komuna, policia, më thanë të mos qëndroj këtu për shkak të rrezikut. Ne kemi pas rrezik nga muri, se e kemi lajmëruar edhe në komunë dy-tre herë. Ja kemi bërë me dije, prisheni murin se jemi në rrezik. Që kur e kanë ndërtuar murin, jemi në rrezik. E kam ditur se do bjerë”, shtoi Dilaver Jashari.

Situatë e ngjashme është edhe tek Muhamet Selami. Shtëpia e tij është dëmtuar nga muri, i cili sipas tij ka qenë pa leje dhe e ka denoncuar tri herë, por nuk janë marrë masa.

 “Kur dolëm u dëgjua një ushtimë e madhe. Fillimisht menduam se ishte bubullimë, por kur dolëm jashtë pamë se te komshia ishin grumbulluar gurët dhe bërtisnin të gjithë. Kujtova se kishte ndonjë vdekje. Kur pamë gurët jashtë, nuk dinim ku të shkonim, ishte natë. Në mëngjes thirrëm zjarrfikësit dhe policinë. Policia ka ardhur e para, zjarrfikësit nuk kanë ardhur, nuk u paraqit askush. Tash kemi dalë poshtë dhe kemi marrë banesë me qira. Unë këtë e kam paraqitur, dokument kam, ua kam bërë me dije si komshia ashtu edhe komuna. Këtë e kam bërë para tre vitesh, tri herë. Herën e fundit e kam bërë shkurt 2025, asnjë përgjigje nuk mora”, tha Muhamet Selami.

As Dilaveri, as Muhameti nuk kanë mundësi të rregullojnë shtëpitë e tyre. Ata presin që komuna e Tetovës të ndërmarrë masa dhe të dëmshpërblehen.

 “Ne nuk mundemi. Një jetë për këtë shtëpi kam punuar dhe tash jam jashtë për momentin. Por normal, kjo duhet të zgjidhet tani. Një jetë kam punuar të bëj një shtëpi dhe tash kam ngelë rrugëve”, shtoi Muhamet Selami.

 “Unë nuk kam mundësi, siç më sheh. Sa kisha mundësi financiare e mbarova, e tash e sheh”, tha Dilaver Jashari.

Kërkuam përgjigje edhe nga komuna e Tetovës, por deri në përmbyllje të këtij edicioni informativ nuk morëm asnjë përgjigje. Ndërkohë, rruga për në banjën e Tetovës vazhdon të jetë e bllokuar, edhe pse makineritë po punojnë për ta hapur./TV21