Ekipet e Kryqit të Kuq në bashkëpunim me QMK-në janë në terren dhe u ndihmojnë familjeve që kanë pësuar dëme nga përmbytjet në vendin tonë.
Ata janë fokusuar posaçërisht në Kërçovë, ku i kanë evakuuar 110 persona.
“Kryqi i kuq i RMV-së në bashkëpunim me QMK-në nga dita e djeshme është aktiv në terren, posaçërisht në rajonin e Kërçovës, me kërkesë të Kryqit të Kuq lokal të Kërçovës dhe QMK-së është deponuar një sasi e madhe e ushqimit, batanijeve dhe të gjitha gjërave të nevojshme, të cilët janë kërkuar nga Kryqi i Kuq lokal i Kërçovës. Ekipet e njësisë intervente janë në gatishmëri dhe në qoftë se është e nevojshme do të dalin përsëri në terren. Fokusi është vetëm në Kërçovë, sepse ka pësuar më tepër në këto vërshime.”, – deklaroi Argjent Çilafi nga Kryqi i Kuq.
Nga Kryqi i Kuq thonë se donatorët lokalë kanë kërkuar nga Kryqi i Kuq që të hapet fondi për xhirollogari, ku qytetarët të mund të donojnë për familjet e prekura nga përmbytjet.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza kanë njoftuar se për shkak të përmbytjeve që kanë goditur pjesë të vendit si pasojë e reshjeve të shiut, në Koçan dhe Ohër po ndërhyhet me mekanizëm, për shkak të daljes së lumenjve nga shtrati.






