Pas 26 vitesh, emisioni “Krejt KAPAK” me Milotin hyri ekskluzivisht brenda shtëpisë së UÇK-së në Prishtinë, konkretisht në zyrën e Adem Demaçit, e njohur si Zyra e Udhëheqësit Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila u hap në vitin 1998.
Është Avdi Paqarada, pronar i shtëpisë dhe bashkëpunëtori i Adem Demaçit, i cili për herë të parë hapi dyert dhe zemrën për të rrëfyer se si e lëshoi shtëpinë e tij në vitin 1998.
“Kjo është zyra e Adem Demaçit, kjo është karrigia e tij, kjo është karrigia e Albinit dhe tavolina e tij që i kam ruajtur”, shprehet Paqarada.
Paqarada ndër të tjera tregon për keqtrajtimin që iu bë atij disa ditë pasi u hap zyra e Demaçit. Por, ai asnjëherë nuk e ka vënë në dyshim faktin pse e lëshoi shtëpinë.
Shtëpia historike e UÇK-së apo “Shtëpia e Rezistencës” siç është quajtur nga Adem Demaçi është në gjendje shumë të keqe dhe pa përkujdesje shtetërore.
Paqarada, i arrestuar 10 herë në jetën e tij nga regjimi serb është i mllefosur pse kjo shtëpi nuk e ka trajtimin e duhur nga secila qeveri.
“Është edhe për UÇK-në turp, edhe për komandantët turp, edhe për qeveritë e më parme edhe për qeverinë e tashme”, shprehet Paqarada.
Sipas tij, kjo shtëpi do duhej të shndërrohej në Muze dhe secili fëmijë ta vizitojë.
Ndiqni të plotë emisionin për të kuptuar më shumë rreth kësaj shtëpie:




