Kush është Nicolas Maduro?

Nga shofer autobusi në udhëheqës autoritar i Venezuelës, e tash i kapur nga SHBA për narkoterrorizëm

Nicolás Maduro, i lindur më 23 nëntor 1962 në Karakas, u bë president i Venezuelës që nga prilli i vitit 2013, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të organizuara pas vdekjes së Hugo Chávezit, por që u kontestuan nga opozita.

Ai u rrit në familje me bindje të majta politike.

Ishte shofer autobusi dhe aktivist sindikal në Karakas, dhe karrierën e nisi kur u bë përfaqësues i punëtorëve të transportit. Ai u angazhua në mbështetje të Hugo Chávezit, i cili ishte burgosur pas një tentative të pasuksesshme për grusht shteti në vitin 1992.

Në vitin 1999, Maduro u bë anëtar i Asamblesë Kushtetuese Kombëtare që hartoi kushtetutën e re të Venezuelës. Ai shërbeu gjithashtu në Dhomën e Deputetëve dhe më pas në Asamblenë Kombëtare, ku u rizgjodh disa herë dhe u bë president i saj në vitin 2005. Në vitin 2006 u emërua ministër i jashtëm, detyrë që e mbajti deri në vitin 2013.

Si kryediplomat, Maduro promovoi Aleancën Bolivariane për Popujt e Amerikës Sonë (ALBA), me synim forcimin e integrimit rajonal dhe zvogëlimin e ndikimit të Shteteve të Bashkuara në Amerikën Latine. Ai gjithashtu ndërtoi marrëdhënie të ngushta me disa liderë botërorë kontroversë, përfshirë Muamar Gadafin, Robert Mugaben dhe Mahmoud Ahmadinejadin.

Në vitin 2012, pas rizgjedhjes së Chávezit, Maduro u emërua nënkryetar. E, pas vdekjes së Chávezit në vitin 2013, ai u bë president i përkohshëm dhe më pas në të të gjitha zgjedhjet që pasuan u shpall fitues, por procesi u kontestua gjerësisht brenda dhe jashtë vendit.

Mandati i tij u karakterizua nga krizë e rëndë ekonomike, e shënuar nga hiperinflacioni, rënia e prodhimit të brendshëm bruto, mungesa e ushqimit dhe ilaçeve, si dhe emigrimi masiv i qytetarëve. Që nga viti 2014, protesta të shumta shpërthyen në të gjithë Venezuelën, duke u shtypur shpesh me dhunë nga forcat e sigurisë dhe grupet pro-qeveritare. Për këtë arsye, administrata e tij u akuzua për shkelje të të drejtave të njeriut dhe qeverisje gjithnjë e më autoritare.

Maduro u përball me kritika të forta ndërkombëtare dhe sanksione të gjera, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2020, ai u padit nga një gjykatë federale amerikane për narkoterrorizëm dhe trafik droge. Në vitin 2025, Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së rriti në 50 milionë dollarë shpërblimin për arrestimin e tij. E të shtunën, ai u arrestua dhe u nxor nga Venezuela gjatë një aksioni të shkallës së gjerë të kryer nga forcat amerikane në kryeqytetin Karakas.