Kanë mbetur rreth 1 për qind e votave për përfundim të procesit të numërimit të votave në vendvotime nga zgjedhjet parlamentare te 28 dhjetorit.
Në Qendrat Komunale të Numërimit kanë përfunduar votat për subjektet politike nga 2529 prej 2557 qendrave të votimit, përkatësisht nga 98.90% të qendrave të votimit. Nga këto qendra janë numëruar edhe votat për kandidatë për deputetë.
Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.26 për qind, pasuar nga PDK-ja me 21.07 për qind, LDK-ja me 13.45 për qind dhe AAK-ja me 5.69 për qind.
Sa i përket kandidatëve për deputetë tetë prej tyre kanë kaluar shifrën e 100 mijë votave, bazuar në numërimin e votave nga 89.56 për qind të qendrave të votimit, shtatë prej tyre nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Nga radhët e VV-së më të votuarit janë Albin Kurti me 349 mijë e 299 vota, pasuar nga Glauk Konjufca me 270 mijë e 753, Albulena Haxhiu me 142 mijë e 509 vota, Hekuran Murati me 142 mijë e 430 vota, Donika Gërvalla-Schëarz me 126 mijë e 839 vota, Xhelal Sveçla me 113 mijë e 150 vota dhe Hajrulla Çeku me 102 mijë e 450 vota.
Shifrën e 100 mijë votave e ka kaluar edhe kreu i PDK-së, Bedri Hamza. Ai deri më tash ka mbledhur 153 mijë e 326 vota.
Në këto vota nuk llogariten edhe votat me kusht dhe ato nga jashtë.
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë u mbajtën me 28 dhjetor.
Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje do të mund të formojë Qeverinë vetëm në bashkëpunim me komunitetet joshumicë. Partia e Albin Kurtit ka marrë 56 ulëse nga 100 sa janë për partitë shqiptare. PDK-ja do t’i ketë 23, LDK-ja 15 e AAK-ja 6.




