Vit i humbur për drejtësinë: Si u shënua 2025-ta në gjyqësorin e RMV-së?

Viti 2025 shënoi një periudhë të trazuar për sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, me ngërçet strukturore, ndërhyrjet politike dhe mungesën e resurseve që prej vitesh e dëmtojnë funksionimin e mirëfilltë të gjyqësorit. Nga presioni i hapur ndaj Këshillit Gjyqësor dhe përplasjet rreth Prokurorisë Publike, te kritikat e ashpra të Bashkimit Evropian, ShBA-së dhe organizatave ndërkombëtare, ky vit nxori në pah brishtësinë e pavarësisë gjyqësore dhe stagnimin e reformave që mbeten thelbësore për integrimin evropian të vendit. Portalb.mk sjell një përmbledhje të asaj se për çfarë do të mbahet mend viti 2025 në këtë fushë.

Maqedonia e Veriut po e le pas një vit të pasuksesshëm në fushën e gjyqësorit. Raporti i Progresit 2025 si çdo vit tjetër theksoi se gjyqësori në Maqedoninë e Veriut mbetet i brishtë dhe i ekspozuar ndaj ndërhyrjeve politike, mungesës së burimeve dhe efikasitetit të ulët, pavarësisht fillimit të zbatimit të Strategjisë për Reformën Gjyqësore 2024–2028.

Në raport u theksuan presioni i Parlamentit ndaj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, mungesa e stafit dhe kapaciteteve teknike, si dhe mosfunksionimi i plotë i sistemit AKMIS, si problemet më kritike që cenojnë pavarësinë dhe besueshmërinë e drejtësisë. 

.Komisioni Evropian theksoi, gjithashtu se rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe mbeten ende të vlefshme, ndërsa kërkoi miratimin e ligjeve kyçe, forcimin e Këshillit Gjyqësor, si dhe operacionalizimin e plotë të AKMIS-it.

Michalis Rokas në Ditët e Edukimit Mediatik/ Konferenca për arsim mediatik BE-Ballkani Perëndimor. Foto: Portalb.mk
Michalis Rokas në Ditët e Edukimit Mediatik/ Konferenca për arsim mediatik BE-Ballkani Perëndimor. Foto: Portalb.mk

Ambasadori i BE-së, Michalis Rokas në një nga takimet me kryeministrin e RMV-së, Hristijan Mickoski, theksoi se për të tretin vit radhazi nuk ka pasur përparim të rëndësishëm në reformat gjyqësore dhe luftën kundër korrupsionit, i cili është themeli për besimin e qytetarëve. Ai shtoi se pavarësia financiare e gjyqësorit, ndryshimet në Kodin Penal, përshpejtimi i reformave dhe përfundimi i emërimeve janë të nevojshme. Rokas pati thënë se reforma në gjyqësor është “nëna e të gjitha reformave”, duke e konsideruar si kusht themelor për eliminimin e korrupsionit, kthimin e besimit të investitorëve dhe përparimin e shtetit.

Presioni ndaj Këshillit Gjyqësor 

Fillim vitin në fushën e gjyqësorit, e shënoi iniciativa e VMRO-DPMNE-së, për shkarkimin për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Parlamenti. Kryeministri Mickoski këtë organ e cilësoi si një nga bastionet kryesore të korrupsionit dhe pengesë për drejtësi funksionale. Ai argumentoi se sistemi gjyqësor është i mbushur me skandale dhe polemika, dhe se përmes kësaj iniciative synohet krijimi i një Këshilli Gjyqësor që do të funksionojë objektivisht, pa ndikime partiake. 

Presioni i pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ ndaj gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut u vlerësua si shqetësues dhe në kundërshtim me rekomandimet e misionit vëzhgues të BE-së. Interpelanca ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, një mekanizëm që u përdor për herë të parë në 30 vite, u pa nga ekspertët dhe vetë anëtarët e Këshillit si akt i paligjshëm, antikushtetues dhe precedent i rrezikshëm që cenon ndarjen e pushteteve. Anëtarët e Këshillit ishin stoik se Kuvendi nuk ka kompetenca kushtetuese për interpelancë ndaj tyre dhe se një ndërhyrje e tillë rrezikon pavarësinë e gjyqësorit.

Presion politik edhe për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit, Lupço Kocevski

Qeveria e Maqedonisë së Veriut intensifikoi procedurën për shkarkimin e Prokurorit Publik të Shtetit, Lupço Kocevski. Ministria e Drejtësisë dorëzoi në qeveri propozimin zyrtar për shkarkim, duke u bazuar në konkluzionet e seancës së 50-të të Qeverisë dhe në dispozitat e Ligjit për Prokurorinë Publike. Sipas Ministrisë, Kocevski akuzohej për skandale, shkelje të parimeve të funksionimit të Prokurorisë, konflikte interesi, dëmtim të funksionalitetit institucional, veprime të paligjshme dhe shpërndarje të të dhënave konfidenciale. Kocevski e ka kundërshtuar nismën, duke thënë se Qeveria nuk është e informuar si duhet. Kjo procedurë u pezullua pas tragjedisë së zjarrit në Koçan, ndërsa u riaktualizua pak ditë para përfudnimit të vitit. Në ditën që shumica parlamentare do ta shkarkonte, pak orë para se kjo të ndodhte, Kocevcki dha vetë dorëheqje.

Në vend të tij, ushtruese detyre u zgjodh prokurorja Anita Topalova-Isajllovska. Emri i Topalova-Isajëlovska nuk është shumë i njohur në publik, por u përmend disa vite më parë, kur si prokurore republikane kërkoi që Gjykata Supreme të heqë dorë nga çështja “Talir”, e cila ende po gjykohet në dy pjesë, ndërsa midis të pandehurve është edhe partia në pushtet VMRO-DPMNE. Ajo kërkoi që Gjykata Supreme të revokojë vendimin për miratimin e aktakuzës në lëndën “Talir” të Prokurorisë Speciale Publike për financimin e paligjshëm të VMRO-DPMNE-së.

Edhe këtë vit sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut u përball me probleme strukturore të thella, përfshirë mungesë burimesh, transparencë të ulët, vonesa në automatizimin e lëndëve dhe dështime në krijimin e qendrave hetimore.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka vënë në dukje se pa masa urgjente, sistemi gjyqësor dhe prokurorial do të mbetet joefikas dhe i pa besueshëm për qytetarët. Problemet përfshijnë edhe mungesën e transparencës nga Këshilli i Prokurorëve dhe vonesat në reformën e Avokaturës së Shtetit. KSHPK rekomandoi përshpejtimin e punësimeve në prokurori, sigurimin e buxhetit për qendrat hetimore, finalizimin e sistemit të automatizuar, publikimin e vendimeve të institucioneve të drejtësisë dhe përfshirjen e ekspertëve ndërkombëtarë për të përforcuar efikasitetin, llogaridhënien dhe proceset hetimore.

Sipas raporteve të fundit të Komisionit Evropian dhe Freedom House, pavarësia e gjyqësorit mbetet e ulët, ndërsa besimi i qytetarëve në gjyqësor ka rënë në nivelin më të ulët historik prej 2% që nga pavarësia në 1991.

Foto ilustrim, e edituar nga Portalb.mk
Foto ilustrim, e edituar nga Portalb.mk

Debatet për gjyqësorin në RMV 

Se sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut po përballet me një krizë të thellë kadrovike dhe funksionale, e vërtetoi edhe raporti vjetor i Këshillit Gjyqësor. Edhe pse mbi 82% e buxhetit të gjykatave shkon për paga, gjyqësori vazhdon të vuajë mungesën e administratorëve, stafit IT, përkthyesve dhe personelit profesional e teknik. Shumë vende pune mbeten bosh nga mungesa e interesit, ndërsa është rritur ikja e punonjësve me largim vullnetar. Nga 2023 në 2024, numri i të punësuarve ka rënë nga 2,611 në 2,480, me një rënie të vazhdueshme edhe të numrit të gjyqtarëve.

Ndërkohë, numri i lëndëve të pazgjidhura ka arritur në 134,729, me 3,724 raste të prapambetura, ndërsa më shumë se gjysma e gjyqtarëve porotë janë ndryshuar. Vetëm 7 nga 34 gjykata janë vlerësuar se kanë arritur përditësimin e çështjeve.

Në tërësi, raporti bëri të qartë se gjyqësori ndodhet në krizë serioze strukturore dhe kërkon reforma urgjente, investime në burime njerëzore dhe një qasje të koordinuar që të garantojë pavarësinë, efikasitetin dhe besimin e publikut në drejtësi.

Nga ana tjetër, kryeministri Mickoski mendon ndryshe. Sipas tij, me vendimet që marrin, gjyqtarët dhe prokurorët nuk i meritojnë as pagat aktuale. NdërkaqKomisioni Evropian kritikoi Maqedoninë e Veriut për pavarësinë dhe autonominë e dobët financiare të gjyqësorit, të minuar nga presioni politik dhe ndërhyrjet e degëve të tjera të pushtetit, përfshirë Parlamentin, si dhe nga burimet e pamjaftueshme financiare dhe mungesa e personelit. 

Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler, kritikoi ashpër gjendjen e sistemit gjyqësor dhe qasjen e kryeministrit Hristijan Mickoski ndaj Prokurorisë. Ajo vuri në dukje se, megjithëse SHBA kanë investuar gjysmë miliardi euro në reformën e gjyqësorit, rezultatet mbeten të pamjaftueshme dhe ngecjet sistemike nuk zgjidhen me deklarata publike. Aggeler theksoi se kryeministri ka përgjegjësi politike për funksionimin e sistemit, edhe pse nuk zgjedh drejtpërdrejt prokurorët, dhe se institucionet duhet të jenë motori i reformave, jo përplasjet politike.

Precedenti në drejtësi

Vendimi i Gjykatës Administrative për anulimin e zgjedhjes së Elizabeta Dukovskës si gjyqtare kushtetuese krijoi një situatë të paprecedentë në sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut. Sipas arsyetimit të gjykatës, Këshilli Gjyqësor ka shkelur procedurën në vitin 2023, sepse pas sigurimit të tetë votave për Dukovskën nuk ka vazhduar me vlerësimin e kandidatëve të tjerë, duke cenuar parimin e transparencës dhe barazisë në përzgjedhje.

Rasti hapi debate serioze mbi efikasitetin e gjykatave administrative, të cilat për dy vite, nuk morën vendim për një çështje që ndikonte drejtpërdrejt në përbërjen dhe punën e Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë, vendimi ndikoi edhe në punën e vetë Kushtetueses, e cila u detyrua të shtyjë seancën përgatitore për Ligjin e Përdorimit të Gjuhëve, pasi raportuesja e çështjes, Dukovska, u shkarkua dhe dosja duhet t’i kalojë një gjyqtari të ri.

Në tërësi, ky rast theksoi mangësitë strukturore në proceset e përzgjedhjes, mbikëqyrjes dhe vendimmarrjes në sistemin gjyqësor, duke nxjerrë në pah urgjencën për rritjen e transparencës, integritetit dhe përgjegjësisë institucionale. 

Gjykata Themelore Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Gjykata Themelore Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Gjyqësori në Maqedoninë e Veriut vazhdoi të cenohet nga ndërhyrjet politike dhe mungesa e burimeve

Raporti i Bashkimit Evropian për vitin 2025 për Maqedoninë e Veriut evidentoi probleme të vazhdueshme në gjyqësor, duke përfshirë mungesën e argumentimit dhe transparencës në emërimet e gjyqtarëve, ndërhyrjet politike dhe presionin publik që cenojnë paanshmërinë. Zbatimi i Strategjisë për Reformën Gjyqësore 2024-2028 ishte i ngadaltë, me vetëm 42.9% të aktiviteteve të realizuara në vitin 2024, ndërsa mungesa e burimeve njerëzore dhe buxhetore pengoi përmirësimin e funksionimit të sistemit. Ulja e koeficienteve të pagave për gjyqtarët dhe prokurorët përmes procedurave të përshpejtuara shqetëson për pavarësinë ekonomike dhe profesionalizmin e tyre.

Raporti theksoi gjithashtu presionin politik ndaj Këshillit Gjyqësor dhe dorëheqjen e kryetares së tij në dhjetor 2024 si pasojë e kërcënimeve dhe ndërhyrjeve publike, ndërsa disa interpelanca dhe vota mosbesimi ndaj anëtarëve kanë rritur tensionin. Përmirësime të pjesshme janë vërejtur në transparencën e vendimeve dhe komunikimin publik, por boshllëqet mbeten, sidomos në justifikimin e emërimeve dhe ngritjeve në detyrë.

Ligjet për prokurorinë publike dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë kërkojnë përmirësime për të përputhur funksionimin e tyre me standardet evropiane dhe rekomandimet e Komisionit të Venedikut dhe GRECO-s. Në fushën e luftës kundër korrupsionit, Maqedonia e Veriut mbetet pjesërisht e përgatitur, me raste të vonuara ose të ndjekura me dënime minimale, duke treguar nevojën për miratimin e Kodit të ri Penal, strategjitë antikorrupsion dhe sigurimin e burimeve të mjaftueshme për institucionet kyçe.

Në përmbledhje, raporti evidenton se gjyqësori dhe prokuroria vazhdojnë të përballen me sfida serioze për pavarësi, transparencë, profesionalizëm dhe luftë efektive kundër korrupsionit, duke kërkuar veprime të menjëhershme për zbatimin e reformave dhe forcimin e besimit publik. 

Sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut në vitin 2026 hyn me barrën e problemeve të pazgjidhura. Sfida kryesore mbetet shndërrimi i reformave nga dokumente strategjike në veprime konkrete: garantimi real i pavarësisë së Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorisë, depolitizimi i emërimeve dhe shkarkimeve, sigurimi i autonomisë financiare, funksionalizimi i plotë i AKMIS-it dhe përballja serioze me krizën kadrovike dhe ngarkesën e lëndëve. Pa vullnet të qartë politik, llogaridhënie institucionale dhe transparencë ndaj qytetarëve, 2026 rrezikon të jetë vetëm një vazhdimësi e stagnimit, me pasoja të drejtpërdrejta për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe rrugën evropiane të vendit.

Kujtojmë se në fund të vitit, 29 dhjetor, Parlamenti e miratoi Ligjin për Këshillin Gjyqësor me 73 vota “pro” dhe 1 “abstenim”.