Rusia i kërkon SHBA-ve ndaljen e ndjekjes së një tankeri nafte

Rusia i ka kërkuar zyrtarisht Shteteve të Bashkuara që të ndalë ndjekjen e një tankeri nafte që po largohet nga Roja Bregdetare amerikane në Oqeanin Atlantik.

Kështu raporton New York Times, duke cituar burime me dijeni për çështjen.

Kërkesa diplomatike është dërguar mbrëmjen e Vitit të Ri në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

Anija në fjalë, e njohur si Bella 1, ishte nisur nga Irani dhe po udhëtonte drejt Venezuelës për të ngarkuar naftë, kur forcat amerikane tentuan ta ndalonin dhe ta kontrollonin në Detin Karaibe.

Autoritetet amerikane deklarojnë se tankeri nuk mbante një flamur kombëtar të vlefshëm, çka e bënte atë një anije pa shtet, e hapur për kontroll sipas ligjit ndërkombëtar.

Megjithatë, ekuipazhi refuzoi urdhrat dhe u largua drejt Atlantikut.

Në ditët pasuese, anija tentoi të sigurojë mbrojtje nga Moska, duke pikturuar një flamur rus në trupin e saj dhe duke njoftuar përmes radios se po lundronte nën autoritetin rus.

Më vonë, ajo u shfaq në regjistrin zyrtar rus të anijeve me një emër të ri – Marinera – dhe me port bazë në Sochi.

Zyrtarë amerikanë, megjithatë, theksojnë se SHBA ende e konsideron anijen “pa shtet”, pasi ajo po përdorte një flamur të rremë në momentin e ndalimit fillestar.

Çështja vjen në një moment të ndjeshëm diplomatik, teksa presidenti Donald Trump po përpiqet të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa njëkohësisht ka intensifikuar presionin ndaj Venezuelës, përfshirë ndalimin dhe sekuestrimin e tankerëve që transportojnë naftë për regjimin e Nicolás Maduro-s.