Në Gjinekologjinë e Çairit lindi një nënë nga Dibra, Mexhiti: Nënës dhe vajzave binjake i dhuruam lule dhe ar

Një nënë 26 vjeçe ka lindur bebet e para në Spitalin e Gjinekologjisë “Nënë Tereza” në Çair, përcjell TV21. Drejtoresha Afërdita Ismaili tha se vajzat binjake ende nuk kanë emër, ndërsa nëna quhet Arbëresha dhe është nga Dibra.

“Vajza e parë është me peshë trupore 2 kg e 570 gr, 47 cm gjatësi. Foshnja e dytë është me peshë trupore 2 kg e 10 gr, me gjatësi prej 43 cm. Edhe nëna edhe foshnjat gëzojnë shëndet shumë të bukur”, tha drejtoresha Ismaili.

Ndërkaq, kryetar i komunës së Çairit, Izet Mexhiti tha se nënës dhe vajzave u janë dhuruar ar dhe lule.

“Në minutat e para të vitit 2026, në Çair erdhën në jetë dy vajza. Një fillim që solli jetë dhe gëzim. Për këtë ardhje të veçantë, nënës dhe vajzave iu dhuruam ar dhe lule. Ar, si urim për vlerë dhe fat të mirë në çdo hap të jetës. Lule, si dëshirë për një rrugë të mbushur me butësi, ngjyra dhe dashuri. , Këto dhurata janë një përshëndetje e vogël, por me kuptim të madh, për dy jetë që e hapën vitin e ri me buzëqeshje dhe shpresë, për shtëpinë dhe komunën tonë. Mirë se erdhët në jetë. U rritshi me shëndet, dashuri dhe fat”, ka shkruar mes tjerash Izet Mexhiti.