Një rezidencë superluksoze me vlerë rreth 115 milionë euro dyshohet se po ndërtohet nga Vladimir Putin në Krime. Sipas Daily Mail, presidenti rus ka marrë në pronësi një ndërtesë që fillimisht ishte planifikuar si rezidencë për ish-presidentin e Ukrainës, Viktor Janukoviç.
Sipas raportimit, “pallati” i Putinit ofron çdo luks të imagjinueshëm: një klinikë private, teatër, dhomë krioterapie dhe banja të veshura me ar. Prona e re superluksoze e presidentit rus ndodhet në Kepin Aya, pika më jugore e gadishullit të Detit të Zi dhe, sipas një raporti të hartuar nga persona që po hetojnë rrethanat e vdekjes së Aleksei Navalnit, bëhet fjalë fjalë për një pallat të mirëfilltë.
Vetëm ndërtesa kryesore ka një sipërfaqe mbi 9.000 metra katrorë, ndërsa një ndërtesë e dytë, e ndërtuar në shpatin e shkëmbit, shtrihet në gati 4.000 metra katrorë dhe është “e fshehur” nën kopshte të projektuara posaçërisht.
Kompleksi përfshin një rrugë private që kalon përmes një zone pyjore në pronësi private, një skelë, një plazh artificial me rërë të bardhë, si dhe një platformë për uljen e helikopterëve, të ndërtuar më lart në shpat.
Sipas dokumenteve dhe fotografive të projektit, ambientet e brendshme shfaqin një nivel luksi që tejkalon edhe standardet e vetë Putinit në “pallatet” e tjera të tij, përfshirë rezidencën në Valdai, për të cilën ai pretendoi se ishte objektiv i një sulmi nga dronë ukrainas, si dhe atë në Gelendzhik, një tjetër rezidencë edhe më e madhe, e vendosur gjithashtu në një zonë të izoluar në brigjet e Detit të Zi.
“Ky luks i tepruar të shkakton një ndjesi të lehtë të përzierash”, deklaroi ekipi i Navalnit.
Kompleksi përmban dy ‘dhoma gjumi mbretërore’ në krahë të veçantë të ndërtesës. Vetëm dhoma kryesore e gjumit e Putinit ka një sipërfaqe prej rreth 1.500 metrash katrorë, ndërsa banja e saj shtrihet në 220 metra katrorë.
“Budoari ka përmasa sa tre apartamente tipike me dy dhoma”, thonë hetuesit. “Duke përdorur një shkallë të artë me parmakë tërësisht prej ari, mund të hysh në një xhakuzi të artë. Vetëm aksesorët e banjës në formë lulesh dhe të punuar në ar kushtojnë rreth 28.330 paund.”
Veçanërisht domethënës është fakti se kostoja totale e rubinetëve, mbajtëseve të letrës higjienike dhe varëseve për rroba banje arrin në 104.000 paund për secilën banjë kryesore.
Kompleksi përfshin edhe një dhomë gjumi për një grua, që besohet të jetë për të dashurën e tij prej vitesh, Alina Kabaeva, 42 vjeçe, si dhe dhoma për dy djemtë që thuhet se ka me të, aktualisht 10 dhe 16 vjeç. Po ashtu, ka një dhomë për një ndihmës, pjesëtar i Shërbimit Federal të Mbrojtjes, përgjegjës për sigurinë e presidentit rus.
Një kat i tërë i ndërtesës është dedikuar për një spital privat, një element që gjendet edhe në pallatet e tjera të Putinit, duke ngritur sërish pikëpyetje mbi gjendjen shëndetësore të liderit 73-vjeçar.
Ai përfshin një ambulancë për mjekun e përgjithshëm, një klinikë ORL, një klinikë dentare dhe një sallë kirurgjie të pajisur plotësisht me pajisje mjekësore gjermane dhe finlandeze të teknologjisë së fundit.
Sipas raportit, aty ndodhen “një aparat ultrazëri me vlerë 2 milionë rubla, tavolinë ekzaminimi dhe masazhi, pajisje diagnostikuese dhe testimi, elektrokardiograf, pajisje fizioterapie dhe shumë të tjera”. Obsesioni i Putinit me shëndetin e tij, theksojnë hetuesit, është i dukshëm.
Gjithashtu janë dokumentuar pajisje për stimulim neuromuskular dhe aparatura për analizën e muskujve të nofullës dhe lëvizjes së saj.
Në të njëjtin kat ndodhet edhe salla e operacionit, me një tavolinë kirurgjie që kushton 4 milionë rubla, njësi oksigjeni mekanik, defibrilator, aparat anestezie dhe pajisje për monitorimin e pacientit. Hapësira është e pajisur edhe me aparate rrezesh X, pajisje për gastroskopi dhe kolonoskopi, si dhe pajisje të tjera mjekësore.
“Pallati” ka gjithashtu sterilizues UV, sisteme riciklimi të ajrit dhe pishina. Dhe dhoma e krioterapisë.
“Xhevahiri i vërtetë i ndërtesës është dhoma e krioterapisë, ku Putin rigjenerohet në temperatura –110°C”, deklaroi Maria Pevçih, aktiviste kundër korrupsionit.
Në bodrum ndodhet edhe një hapësirë e madhe argëtimi, me kinema private për tetë persona.
Sipas dokumenteve financiare të shqyrtuara nga ekipi i Navalnit, pallati është financuar përmes të njëjtit rrjet që u përdor për ndërtimin e kompleksit luksoz të Putinit në Gelendzhik.
Të dy “pallatet” thuhet se janë paguar në të njëjtën mënyrë, nga të njëjtat burime financiare dhe pothuajse në të njëjtën periudhë kohore, me një kosto totale të vlerësuar rreth 10 miliardë rubla.
Për të mbërritur në këtë pronë pa u vënë re, Putin dyshohet se ka përdorur një rrjet kompanish të lidhura me oligarkë rusë të afërt me të.
© SYRI.net




