Viti 2025 ishte një nga periudhat më stagnuese për rrugën eurointegruese të Maqedonisë së Veriut. Megjithëse Bashkimi Evropian e përsëriti se dera për zgjerim mbetet e hapur, procesi i anëtarësimit të vendit mbeti i ngrirë për shkak të mosrealizimit të ndryshimeve kushtetuese dhe mosmarrëveshjeve të thella me Bullgarinë. Diskutimi për BE-në u shndërrua nga një projekt shtetëror në një temë përplasjeje të ashpër politike, ku identiteti, gjuha dhe garancitë evropiane dominuan debatin publik. Eksponentët qeveritarë patën vetëm fjalë ndërsa në fund të vitit, Maqedonia e Veriut nuk arriti asnjë hap konkret drejt hapjes së kapitujve negociues, duke mbetur prapa Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit. Pavarësisht kësaj, vendi nuk e ka ndërmend të ndërmarrë asnjë hap më tutje pa garanci, BE-ja nuk ofron një gjë të tillë, ndërsa Bullgaria thotë se nuk ka kushte tjera, por pala maqedonase është skeptike. Këto ishin ngjarjet kryesore në 2025 në rrugën eurointegruese të RMV-së, shkruan Portalb.mk.
Rruga eurointegruese gjatë këtij viti u karakterizua gjithashtu nga pritje të mëdha dhe një cikël i vazhdueshëm përplasjesh politike, diplomatike dhe institucionale. Ky vit jo vetëm që nuk solli hapjen e kapitujve negociues, por e thelloi edhe më shumë hendekun mes pritjeve të qytetarëve, qëndrimeve të qeverisë në Shkup, kërkesave të Bashkimit Evropian dhe insistimit të Bullgarisë për ndryshimet kushtetuese. Në vend të përparimit konkret, 2025 u shndërrua në vit të narrativeve të kundërta, mungesës së besimit dhe një bllokade që u perceptua gjithnjë e më shumë si rrezik politik, institucional dhe gjeostrategjik për vendin dhe rajonin.
Fillimi i vitit u shënua me polemika dypalëshe. Kreu i partisë së ekstremit të djathtë bullgar Prerodba, Kostadin Kostadinov tha se nuk ka asgjë më logjike se bashkimi i Maqedonisë në Bullgari, duke qenë se siç tha ai, nuk ka asgjë më logjike se dy vende me histori të përbashkët, origjinë të përbashkët, gjuhë dhe njerëz të përbashkët, si Bullgaria dhe Maqedonia, të bashkohen dhe të bëhen një shtet. Kjo ngjalli reagimet e partive dhe institucioneve në Maqedoninë e Veriut.
Fillim-viti nuk ishte i tëri “zi”. Pati edhe shpresa dhe pritje për takime midis dy vendeve, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat nuk ndodhën kurrë, e që në fund të vitit, kryeministri Hristijan Mickoski tha se ky takim nuk u bë, pasi pala bullgare nuk dha përgjigje. Aktivitet intensiv paralajmëroi edhe ambasadori i BE-së në Maqedoni, Mihalis Rokas, mirëpo kjo nuk solli asgjë të re.
Paralelisht, në planin politik u kristalizuan qëndrimet e reja të pushtetit të ri. Kryeministri Mickoski e bëri të qartë që në muajt e parë të vitit se qeveria nuk kishte ndërmend t’i bëjë ndryshimet kushtetuese pa garanci të qarta dhe të shkruara nga Bashkimi Evropian se pas këtij hapi nuk do të kishte veto të reja apo kushte shtesë. Qëndrimi i tij se identiteti kombëtar nuk është subjekt negociatash u bë një nga boshtet kryesore të diskursit politik gjatë gjithë vitit 2025. Kjo qasje u përplas drejtpërdrejt me pritjet e Brukselit dhe Sofjes.
Nga ana tjetër, Bullgaria e intensifikoi presionin diplomatik. Presidenti Rumen Radev dhe përfaqësues të tjerë shtetërorë përsëritën vazhdimisht se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut është kusht i panegociueshëm dhe se ai buron nga korniza evropiane e negociatave. Sofja këmbënguli se nuk bëhej fjalë për një çështje dypalëshe, por për respektim të standardeve evropiane për të drejtat e komuniteteve. Megjithatë, në Shkup kjo u perceptua si vazhdim i politikës së bllokadës dhe si përdorim i BE-së për realizimin e interesave kombëtare bullgare.
Gjatë pranverës dhe verës së vitit 2025, presioni nga Bashkimi Evropian u bë më i drejtpërdrejtë. Zyrtarë të lartë evropianë, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, deklaruan hapur se topi është në fushën e Shkupit dhe se pa ndryshime kushtetuese nuk mund të ketë hapje të kapitujve negociues. Mesazhi ishte i qartë dhe i pandryshueshëm: Plani A mbetet i vetmi plan. Këto deklarata u pritën me zhgënjim nga qeveria maqedonase, e cila paralajmëroi se një veprim i njëanshëm pa siguri politike do ta ekspozonte vendin ndaj rrezikut të një bllokade të re.

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ndërkohë kërkoi ndihmë nga BE-ja në gjetjen e një zgjidhjeje krijuese për zhbllokimin e integrimit, sepse siç theksoi ajo, pranimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE nuk është vetëm çështje zgjerimi, por ndikon edhe në sigurinë dhe stabilitetin e Evropës. Iniciativa për reformimin e procesit të vendimmarrjes në BE, e cila do të përfshinte edhe çështje që lidhen me zgjerimin e Unionit, pra futjen e votimit me shumicë të kualifikuar, do të ishte një vendim i guximshëm për Siljanovska-Davkovën, i cili do të çonte në një hap përpara në integrimin evropian.
Megjithatë, ambasadorë dhe ministra nga shtete të ndryshme anëtare, përfshirë Holandën, Danimarkën, Finlandën dhe Austrinë, kërkuan publikisht që RMV-ja të mos humbë momentin e zgjerimit dhe të përmbushë obligimet e marra.
Në gjysmën e dytë të vitit, situata u ndërlikua edhe më shumë. Bullgaria kërkoi mbështetjen e Hungarisë për të ushtruar presion ndaj Shkupit, ndërsa në Parlamentin Evropian pati përplasje rreth formulimeve që lidhen me gjuhën, identitetin dhe historinë maqedonase. Këto zhvillime shkaktuan reagime të ashpra nga presidentja Siljanovska-Davkova dhe nga qeveria, të cilat i cilësuan si të papranueshme dhe si ndërhyrje politike në çështje sovrane.
Në planin e brendshëm, eurointegrimet u shndërruan në një temë të thellë polarizimi politik. Opozita LSDM propozoi një rezolutë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese deri në fillim të vitit 2026, pa pranuar kërkesa të reja, ndërsa qeveria e refuzoi këtë qasje si të rrezikshme dhe kryeministri paralajmëroi rezolutë “të vërtetë” pas zgjedhjeve. Diskutimet për identitetin kombëtar, gjuhën dhe historinë dominuan debatin publik, duke e zhvendosur vëmendjen nga reformat strukturore që kërkon BE-ja.
Sa i përket besimit të qytetarëve, sipas anketës së Eurobarometrit publikuar në qershor, në Maqedoninë e Veriut, 54% e qytetarëve i besojnë Bashkimit Evropian, ndërsa 42% jo.
Në fund të vitit, anketa e porositur nga Fondacioni Metamorfozis zbuloi një realitet kompleks dhe kontradiktor rreth qëndrimeve të qytetarëve të Maqedonisë ndaj Bashkimit Evropian. Shumica vazhdon të mbështesë perspektivën evropiane, por perceptimet për padrejtësi, presion dhe pasiguri ekonomike janë të theksuara. Në këtë atmosferë të ndarë, njohësit e procesit eurointegrues apelojnë për racionalitet, dialog dhe një “mes të artë” që mund ta nxjerrë vendin nga bllokadat politike dhe shoqërore.

Marrëdhëniet midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë tensionuan në mes të vitit për shkak të raportit të Parlamentit Evropian dhe dënimit me kusht të Ljupço Georgievskit, kryetar i ish-klubit bullgar “Ivan Mihajlov” në Manastir. Sofja akuzoi Shkupin për përndjekje politike mbi baza etnike dhe për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj qytetarëve me identitet bullgar. Presidenti bullgar Rumen Radev dhe ministri i Jashtëm, Georg Georgievski shprehën mbështetje të plotë për Georgievskin, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe politikisht të motivuar. Ndërkohë, eurodeputetët bullgarë kanë ndërhyrë në raportin e progresit të Maqedonisë në BE, duke kërkuar tërheqjen e komenteve për gjuhën dhe identitetin maqedonas. Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski ankohej për presion politik në rrugën e eurointegrimeve të vendit, ndërsa presidenti Radev nga ana tjetër theksoi se nuk do të ketë kushte të reja për rrugën eurointegruese të RMV-së.
Nga ana tjetër, në fund të vitit, në Bruksel u shtua gjithnjë e më shumë debati për reformimin e mënyrës se si Bashkimi Evropian merr vendime lidhur me zgjerimin. Ideja që disa vendime gjatë negociatave me vendet kandidate të merren me shumicë të kualifikuar, dhe jo më me unanimitet, po shihet si përpjekje për t’i dhënë fund bllokadave politike që kanë frenuar procesin e integrimit. Kjo nismë, e mbështetur nga vende si Austria, Gjermania, Italia dhe Sllovenia, do të mundësonte që çështjet teknike të ecin përpara pa pasur nevojë për pëlqimin e secilit shtet anëtar.
Bullgaria disa herë është shprehur se nuk do të kërkojë kushte të reja për Maqedoninë e Veriut, përpos atyre që janë marrë vesh deri tani. Mirëpo ministri bullgar i Punëve të Jashtme, Georg Georgiev, duke folur për rrugën e RMV-së për në BE tha se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së është kërkesa e parë, por jo e vetme e Maqedonisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në BE. Prandaj, Shkupi zyrtar është skeptik, për të mos thënë që nuk i beson fare Sofjes. Këtë e konfirmoi më së miri edhe deklarata e komisioneres Evropiane për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë së Mirë, Marta Kos, e cila tha se edhe nëse vendi bën ndryshimet kushtetuese, askush nuk mund të garantojë se nuk do të përballet me pengesa të reja në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Prandaj edhe kryeministri Mickoski, disa herë në nëntor, përsëriti se nuk e ka ndërmend të ndryshojë kushtetutën pa garanci në Bashkimi Evropian, duke nënvizuar se vendi është madje shumë përpara Shqipërisë, por ndryshimi i kushtetutës sipas tij, do të sillte edhe një veto tjetër, asgjë më shumë.

Bilanci i procesit eurointegrues në vitin 2025 ishte negativ. Maqedonia e Veriut nuk arriti të bëjë ndryshimet kushtetuese, nuk hapi kapitujt e negociatave dhe mbeti pas Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. Viti përfundoi me pasiguri të madhe politike dhe diplomatike, ndërsa 2026 nuk pritet të jetë vit vendimtar pa garanci se ngërçi shumëvjeçar do të zgjidhet. Eurointegrimi edhe këtë herë mbeti qëllim strategjik në letër, por në praktikë u shndërrua në një proces të ngrirë, që prodhoi më shumë tensione sesa shpresë për një hap konkret përpara.
Kujtojmë se gjatë vitit 2024, rruga eurointegruese e Maqedonisë së Veriut u karakterizua nga dinamika të reja politike dhe diplomaci intensivisht të tensionuar, sidomos pas gjysmës së dytë të vitit. Qeveria e kaluar kishte ndjekur një qasje të fokusuar në plotësimin e kushteve të BE-së, përfshirë ndryshimet kushtetuese për njohjen e pakicës bullgare, një kërkesë që shkaktoi tensione të brendshme politike dhe shoqërore. Megjithatë, qeveria paraprake nuk i kishte numrat për t’i bërë ndryshimet kushtetuese, ndërsa zgjedhjet parlamentare ishin në prag. Më 8 maj 2024, partia në pushtet LSDM, pësoi debakël, duke humbur në të dy palë zgjedhjet, presidenciale dhe parlamentare. Pas ardhjes në pushtet të Hristijan Mickoskit dhe qeverisë së re, u propozua një strategji ndryshe. Mickoski deklaroi synimin për të ndryshuar Kornizën Negociuese të BE-së për të kufizuar kërkesat bilaterale dhe për të shtyrë zbatimin e ndryshimeve kushtetuese deri pas anëtarësimit të plotë. Ky propozim sipas tij, synon të mbrojë sovranitetin kombëtar, por gjithashtu ka krijuar një situatë të pasigurt për marrëdhëniet me Brukselin. Nga ana tjetër, Shqipëria e cila ishte në të njejtën pozitë si RMV-ja, eci përpara duke hapur negociatat me BE-në.




