Festa e Vitit të Ri do të bëhet në sheshin Maqedonia në Shkup, mungojnë serish artistët e njohur shqiptarë

Sheshi Maqedonia do të jetë vendi ku banorët e Shkupit do të mund të mblidhen sonte për festë të Vitit të Ri ku do ta përshëndesin vitin e vjetër 2025 me këngët e interpretuesve vendas. Programi, siç thonë autoritetet e qytetit, është krijuar për të gjitha brezat dhe do të fillojë në orën 19:45 me këngët e Mile Kuzmanovskit, dhe do të vazhdojë me Ognen Zdravkovskin, Dina Jasharin, Kuku Lelen dhe Tamara Todevskën. Edhe këtë vit, nuk ka asnjë artist të njohur shqiptar, edhe pse kreu i Qytetit tha se “do të mundohet” që të ketë, transmeton Portalb.mk.

Do të performojnë edhe Pajak, Lara dhe Dva Bona, ndërsa Shkupi do ta hyjë Vitin e Ri me këngët e Karolina Goçevës.

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se festimi vjetor në shesh do të zhvillohet pa fishekzjarrë, pas apeleve nga organizatat e shoqërisë civile për të mbrojtur qytetarët, veçanërisht fëmijët, nga zhurma dhe stresi i panevojshëm, si dhe nga ndotja e shkaktuar nga piroteknikat. Gjorgjievski u bëri thirrje qytetarëve të vijnë në sheshin qendror dhe t’i bashkohen festës dhe u bëri thirrje kryetarëve të komunave të Shkupit të mos organizojnë festa në mënyrë që të mos i ndajnë qytetarët.

Kujtojmë se kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski në Click Plus në TV21, tha se po mundohet me ekipin e tij për zgjerimin e programit për muzikor për pritjen e Vitit të Ri që do të mbahet në sheshin “Maqedonia”. Gjorgjevski mes tjerash tha se po përpiqet që të ketë edhe një këngëtar shqiptar.

“E kam pranuar edhe sugjerimin e kolegëve tuaj shqiptarë, të cilët më pyetën pse, megjithëse Llotaria Shtetërore e Videove po e mbështet të gjithë projektin dhe festën, nuk ka asnjë artist shqiptar. Me ekipin kemi diskutuar për këtë çështje dhe me mbështetjen e Qytetit të Shkupit do të përpiqem të sigurojmë edhe një këngëtar apo këngëtare shqiptare që të performojë për Vitin e Ri,” tha Gjorgjievski.