Merz: Gjermania përballet me sulme të përditshme, Rusia synon Evropën

Në mesazhin e tij për Vitin e Ri, kancelari gjerman Friedrich Merz paralajmëroi se jo vetëm Gjermania është nën sulme të përditshme, por se Rusia po shënjestron të gjithë Evropën.

“Po e shohim gjithnjë e më qartë se agresioni i Rusisë ishte dhe mbetet pjesë e një plani të drejtuar kundër gjithë Evropës”, deklaroi Merz, duke shtuar se edhe pse agresioni rus është më i dukshëm në Ukrainë, ai përbën një kërcënim më të gjerë për sigurinë evropiane.

Duke iu drejtuar publikut përmes një mesazhi video, kancelari theksoi se lufta në Ukrainë nuk është një konflikt i largët, duke nënvizuar se “Gjermania po përballet çdo ditë me sabotime, spiunazh dhe sulme kibernetike”.

Që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, Evropa ka regjistruar një rritje të dukshme të akteve të sabotimit dhe sulmeve hibride. Viti 2025 shënoi një kulm të ri, me shumë raste të shfaqjes së dronëve mbi objekte qeveritare dhe ushtarake, inkursione të dronëve ushtarakë mbi Poloni, si dhe shkelje të mëdha të hapësirës ajrore mbi shtetet baltike.

© SYRI.net