Aksident te kanioni i Matkës: Tre shtetas turq nxirren nga automjeti i përmbysur në lumin Treska

Zyrtarë policorë kanë nxjerrë tre shtetas turq nga një automjet që ishte përmbysur dhe kishte përfunduar në lumin Treskë, në aksidentin që ndodhi sot rreth mesditës pranë kanionit të Matkës.

Pas marrjes së njoftimit, policia në vendngjarje ka hasur një automjet të përmbysur të tipit “Shkoda Fabia”, me targa të Shkupit, në pronësi të një agjencie “rent a car”, i cili ndodhej në breg dhe pjesërisht i futur në lumin Treskë.

Automjeti drejtohej nga O.I., ndërsa bashkëudhëtarë ishin Ç.B. dhe E.H., të gjithë shtetas turq. Zyrtarët policorë i kanë nxjerrë personat nga automjeti dhe ata janë deklaruar se nuk kanë nevojë për ndihmë urgjente mjekësore.

Është kryer këqyrja në vendin e ngjarjes dhe automjeti është nxjerrë në mënyrë të sigurt. Nga MPB njoftojnë se po ndërmerren masa për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.