Osmani: Synoj edhe një mandat si presidente

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po e synon edhe një mandat tjetër si presidente e vendit. Ajo ka thënë se po pret për formimin e institucioneve të reja dhe paralajmëroi bisedime për mbështetje të kandidaturës së saj.

Osmani ka thënë se “synoj të vazhdoj angazhimin politik edhe nëse nuk zgjidhem presidente”.

“Do të bisedoj me të gjitha partitë shqiptare. Do të duhet që të ulemi të diskutojmë dhe të shihet nëse do të dëshirojnë që të dëgjohet vullneti i qytetarit i cili është i qartë. Në shumicën dërrmuese të matjeve shihet që diku 81% të qytetarëve dëshirojnë një mandat të dytë për mua. Do të shohim nëse deputetët dëshirojnë një materializim të këtij vullneti. Nëse deputetët nuk dëshirojnë dhe nuk kanë vullnet, unë do ta vazhdoj angazhimin tim politik”, ka deklaruar presidentja Osmani.

Osmani poashtu ka theksuar se kjo është një çështje që do ta vendosë parlamenti i ri, mirëpo ajo përsëriti që angazhimin politik nuk do ta ndërpresë.

Tutje presidentja e vendit Vjosa Osmani ka paralajmëruar lajme të mira në fillim të vitit të ardhshëm derisa tha se bashkë me ekipin e saj ka bërë një punë të madhe edhe me shtetet që dëshironin t’i ngrinin raportet me Kosovën. Mostërheqjen e njohjes nga këto shtete, Osmani e ka quajtur si njohje të re për shtetin e Kosovës.

“Serbia ka pretenduar që ka bindur mbi 20 shtete që ta çnjohin Kosovën. Ato shtete vërtetë kanë bërë deklarata në prezencë të Serbisë. Ka pasur raste kur kanë dërguar letra në Kombet e Bashkuara, ka pasur raste kur kanë dërguar letra te ne e njoftime te aleatët tanë që ne po e ngrijmë procesin e njohjes derisa të përfundoj dialogu. Unë kam punuar që të rikthehet secila prej tyre përveç një shteti, secilën prej tyre i kam rikonfirmuar në takim me liderët e tyre. Ato kanë qenë si njohje të reja”, ka deklaruar Osmani./REL