Një seri e një qumështi pluhur për fëmijë me bakter ka hyrë në tregun e vendit. Bëhet fjalë për bakterin Bacillus Cereus i cili gjendet gjerësisht në mjedis tokë, pluhur, ajër dhe mund të kontaminojë ushqimin. Ai është i njohur sepse mund të shkaktojë helmim ushqimor, veçanërisht kur ushqimi ruhet ose përgatitet në mënyrë jo të sigurt.
“Ditët e fundit në internet qarkullon një informacion se qumështi Aptamil pluhur për fëmijë ka një bakter dhe ky qumësht ka hyrë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në Kosovë dhe Shqipëri. Por në të vërtetë cila seri e qumështit e ka këtë bakter, çfarë masash kanë ndërmarrë institucionet dhe si po veprohet? “
Për të konfirmuar këtë informacion, TV21 kërkoi qëndrim nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari. Nga kjo agjenci bëjnë të ditur se më 18 dhjetor të këtij viti kanë pranuar një njoftim përmes Sistemit për Njoftim të Shpejtë për Ushqim të Pasigurt të Bashkimit Evropian, që ka të bëjë me produktin “Aptamil AR 1” (400 g), me afat përdorimi deri më 17.05.2026 dhe me lot 111444865. Bëhet fjalë për formulë fillestare për foshnja, te e cila është konstatuar prani e rritur e bakterit Bacillus cereus.
Njoftimi është dërguar nga Holanda dhe është rezultat i kontrollit të brendshëm të kompanisë Nutricia.
“Menjëherë pas pranimit të njoftimit, AUV kreu kontroll të jashtëzakonshëm inspektues përmes inspektorit kompetent dhe ndërmori të gjitha masat e nevojshme ligjore (tërheqjen nga tregu të të gjitha sasive të gjetura), për çka konsumatorët janë njoftuar në mënyrë përkatëse edhe nga kompania importuese. Procedura është në vazhdim”, thotë Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.
Institucionet njoftojnë se qumështi me seri të numrit të lartpërmendur është larguar nga tregu, ndërsa të gjithë ata prindër që e kanë blerë atë seri ta ndërpresin menjëherë përdorimin.






