Reprezentuesi i SHBA-së, Christian Pulisic është aktualisht futbollisti me vlerësimin mesatar më të lartë në Serie A, duke lënë pas edhe bashkëlojtarin e tij te Milani, Luka Modric.
Sipas vlerësimeve mesatare të dhëna nga gazetat sportive italiane, të përmbledhura nga “Fantacalcio”, ylli i Milanit po konsiderohet lojtari më i mirë i Serie A deri në këtë fazë të sezonit.
Pulisic kryeson renditjen mes futbollistëve që kanë zhvilluar të paktën 50 për qind të ndeshjeve në kampionat, një fakt që nuk shihet aspak befasues duke pasur parasysh paraqitjet e tij.
Ish-lojtari i Chelseat ka realizuar shtatë gola dhe ka dhuruar dy asistime në vetëm 10 paraqitje në Serie A, duke qenë një nga faktorët kryesorë të kuqezinjve këtë sezon. Pas tij renditet Luka Modric, ndërsa vendin e tretë e mban talenti i Comos, Nico Paz.
Paz ka regjistruar gjithsej nëntë kontribute në gola, me pesë realizime dhe katër asistime, por i ka arritur këto shifra në 15 paraqitje, më shumë se Pulisic. Në mesin e dhjetë lojtarëve më të vlerësuar bëjnë pjesë edhe dy portierë: Mile Svilar i Romës dhe Wladimiro Falcone i Lecces.
Falcone ka një vlerësim mesatar 6.47, vetëm pak më të lartë se portieri i Milanit, Mike Maignan, i cili vlerësohet me 6.46. Nga Juventusi, vetëm Kenan Yildiz ka arritur të futet në top 10, ndërsa Napoli përfaqësohet nga Frank Andre Zambo Anguissa.
Interi ka dy përfaqësues në këtë listë, Marcus Thuram dhe Federico Dimarco, ndërsa Alexis Saelemaekers plotëson renditjen e dhjetë lojtarëve më të vlerësuar në Serie A deri tani.
Renditja e vlerësimeve mesatare:
Christian Pulisic – 6.7
Luka Modric – 6.6
Nico Paz – 6.57
Mile Svilar – 6.53
Marcus Thuram – 6.5
Kenan Yildiz – 6.5
Zambo Anguissa – 6.5
Federico Dimarco – 6.5
Alexis Saelemaekers – 6.5
Wladimiro Falcone – 6.47.





