Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot mbajti një takim informativ me gazetarët, ku u diskutua për gjendjet aktuale dhe sfidat me të cilat përballet sistemi shëndetësor, si dhe për prioritetet në fushën e shëndetësisë për vitin e ardhshëm.
Ai u ndal te pesë shtyllat mbi të cilat bazohet sistemi shëndetësor, në aspektin e infrastrukturës, pajisjeve të reja, digjitalizimit, rregullativës ligjore dhe burimeve njerëzore me të cilat disponojnë institucionet publike shëndetësore.
“Sistemi shëndetësor kudo përballet me sfida. Që nga marrja e detyrës si ministër i Shëndetësisë, në muajin e parë e gjysmë fillimisht kemi bërë një skanim të gjendjeve, ndërsa tashmë, në fund të vitit, kemi një bazë të dhënash të sistemit shëndetësor. Për herë të parë deri më tani kemi një bazë të burimeve njerëzore, ndërsa së shpejti do të kemi edhe bazë të infrastrukturës dhe teknologjive që kanë të bëjnë me sistemin shëndetësor. Nga aspekti i ligjeve, sfidat ishin të mëdha dhe 12 ligje tashmë janë në proces shqyrtimi dhe ndryshimi, ndërsa po punojmë edhe në 2 ligje të reja që deri më tani nuk kanë ekzistuar, por që proceset kërkojnë t’i kemi. Vlerësoj se deri në fund të muajit shkurt të gjitha ligjet do të përfundojnë dhe për to do të informojmë më në detaje”, theksoi ministri Aliu.
Sa i përket sfidave të tjera me të cilat përballet shëndetësia, ministri Aliu informoi se janë krijuar gjashtë grupe për monitorimin e problemeve klinike gjatë ofrimit të shërbimeve shëndetësore për pacientët. Prej tyre, pesë grupe deri më tani kanë konstatuar se nuk janë evidentuar probleme klinike.






