Kostadinovski: 2026-ta, vit i ligjit të gjuhëve

Pas gjashtë vitesh, viti 2026 do të jetë vendimtar për lëndën e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Këtë e deklaroi sot kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski në fjalimin e tij të fundvitit, duke theksuar se askush nuk duhet të frikësohet nga vendimi, pasi sipas tij në këtë mënyrë ligji i gjuhëve do të përmirësohet.

“Afati skadoi muajin e kaluar, gjykatësi raportues në mbledhje pune kërkoi edhe një muaj që ta përpunojë. Pritjet e mia janë që gjatë muajit janar unë do ta marr si kryetar. Sapo ta marr në takim pune do ta parashtroj pyetjen, a do të vazhdojmë me seancën përgatitore”. 15:29 “Se ajo lëndë do të zgjidhet vitin e ardhshëm, do të zgjidhet. Dhe sërish, askush të mos sheh në asnjë rrezik. As japim, as marrim diçka, bëjnë harmonizim të dispozitave ligjore me kushtetutën. Në fund, rezultati i asaj do të jetë ligj shumë më i mirë për përdorimin e gjuhëve sesa këtë që e kemi në këtë moment”, tha Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Kostadinovski komentoi edhe kërkesën e BDI-së që vendimmarrja në Gjykatën Kushtetuese të obligohet me Badinter, respektivisht shumicë të dyfishtë. Sipas tij, Badinteri duhet të shfrytëzohet vetëm për organet politike, por jo edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Nëse ajo ndodh, në të njëjtin moment qytetarët mund ta harrojnë shtetin ligjor. Në të njëjtin moment lirisht mund të vendosin çelës dhe ta mbyllin këtë institucion. Nuk ka nevojë për ekzistimin e saj. Badinteri është mekanizëm shumë i dobishëm për shoqëritë siç është e jona, por ku? Në organet politike. Organ i tillë është Kuvendi”, u shpreh Darko Kostadinovski, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Kostadinovski në fjalimin vjetor porositi Këshillin Gjyqësor dhe Kuvendin që urgjentisht të zgjedhin dy gjykatësit kushtetues, ndërsa politikanët të mos bëjnë presion apo të përzihen në punën e tyre. Gjykatë Kushtetuese, sipas tij e ka përmbyllur me sukses vitin 2025, duke theksuar se janë zgjidhur gjithsej 230 lëndë./Alsat