Pas reagimit tim ndaj ministres Spiropali, po dalin në shesh veprime të hershme të BDI-së me pasoja të thella

Shkruan: Dijana Toska
Reagim publik
Pas kërkesës sime publike drejtuar Ministrisë për Punët e Jashtme të Shqipërisë për sqarim lidhur me deklaratën e djeshme të ministres Elisa Spiropali, e cila shqiptarët në Maqedoninë e Veriut i vendosi në kontekstin e “reciprocitetit të minoriteteve”, ka reaguar profesori i së drejtës kushtetuese Jeton Shasivari, duke e konsideruar reagimin tim si të drejtuar në adresë të gabuar.
Megjithatë, në reagimin e tij, profesori nxori në dritë një akt juridik të vitit 2004, të depozituar në “Council of Europe”, për të cilin opinioni publik nuk ka qenë i informuar. Rezulton se ky akt është prodhuar në një periudhë kur BDI ishte pjesë e koalicionit qeverisës me LSDM dhe ka pasoja të thella për mënyrën se si është fiksuar ndërkombëtarisht statusi i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Duke ndjerë obligim moral dhe brengosje të thellë qytetare, po i përgjigjem profesor Shasivarit, njëkohësisht duke ftuar komunitetin akademik që të hapim një debat të hapur, konstruktiv dhe të përgjegjshëm për këtë çështje tejet delikate, e cila prek drejtpërdrejt statusin politik dhe kushtetues të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Hapje debati për një çështje legale, por jo legjitime!
E vlerësoj reagimin dhe qasjen juridike të profesorit, si dhe sqarimin lidhur me deklaratën e vitit 2004 të depozituar në Këshillin e Evropës. Debati mbi statusin juridik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është jo vetëm i nevojshëm, por edhe i vonuar.
Megjithatë, pikërisht për faktin se bëhet fjalë për një çështje themelore kushtetuese dhe politike, lind një pyetje legjitime dhe e pashmangshme:
nëse kjo deklaratë e vitit 2004 ka pasur një peshë kaq të madhe juridike dhe pasoja afatgjata për statusin e shqiptarëve, pse kjo problematikë nuk u artikulua publikisht në atë kohë?
Pse për gati dy dekada ajo mbeti e heshtur në diskursin akademik, politik dhe publik, ndërkohë që u normalizua një formulim që bie ndesh me frymën e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe me vetë terminologjinë e amendamenteve kushtetuese të vitit 2001, të cilat flasin për “komunitete që nuk janë shumicë”, e jo për pakica kombëtare?
Së dyti, edhe nëse pranojmë faktin se deklarata e vitit 2004 ekziston dhe prodhon efekte juridike në raport me Këshillin e Evropës, kjo nuk e shndërron automatikisht atë në standard politik, diskursiv apo parimor për shtetin amë. Shqipëria nuk është palë në kompromiset e brendshme të vitit 2004 dhe as nuk ka obligim të riprodhojë një gjuhë që, edhe sot, mbetet e kontestueshme nga këndvështrimi i barazisë politike reale.
Pyetja ime nuk ishte juridiko-teknike, por politike, parimore dhe kombëtare:
A duhet që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut të trajtohen në diskursin shtetëror shqiptar si pakicë e barazvlefshme me pakicat kombëtare në Shqipëri, apo si popull autokton dhe faktor shtetformues, pavarësisht devijimeve të imponuara në disa dokumente ndërkombëtare?
Së fundi, pohimi se “nëse nuk kujdesemi për veten, Shqipëria nuk ia del dot” është i saktë, por i paplotë. Sepse kujdesi për veten nuk nënkupton vetëm pranimin pasiv të realiteteve juridike të trashëguara, por edhe guximin për t’i sfiduar ato, kur bien ndesh me barazinë substanciale dhe me frymën e marrëveshjeve politike që i dhanë fund konfliktit të vitit 2001.
Debati i sotëm nuk është i vonuar.
Është i domosdoshëm.
Dhe pikërisht për këtë arsye, ai nuk duhet të mbyllet me shpjegime procedurale, por të hapet me përgjegjësi akademike, politike dhe morale.
I nderuari profesor,
më vjen mirë që ky reagim imi hapi një debat të domosdoshëm dhe nxori në sipërfaqe një realitet juridik dhe politik, të cilin e pranoj hapur, për herë të parë po e dëgjoj dhe po e kuptoj në gjithë peshën e tij. Dhe pikërisht kjo e bën debatin të vlefshëm.
Por nuk mund të mos shtroj edhe një pyetje thelbësore:
në një vend që sot ka dhjetëra universitete, institute kërkimore dhe një numër të konsiderueshëm akademikësh të së drejtës kushtetuese dhe ndërkombëtare, si është e mundur që kjo temë për dy dekada nuk është trajtuar seriozisht në debat publik, akademik dhe institucional?
Nëse një deklaratë e vitit 2004 ka arritur të ndikojë kaq thellë në statusin juridik të shqiptarëve, atëherë heshtja rreth saj nuk është më çështje procedurale, por problem i kulturës së debatit publik dhe akademik.
Për mua, ky përbën një nga kompromiset më të rënda politike me pasoja afatgjata. Prandaj pyetjet janë legjitime: si ndodhi që shteti i Maqedonisë të nënshkruajë një akt të tillë obligativ? Nëse shqiptarët janë shtyllë e shtetit, si është e mundur që statusi i tyre në rendin ndërkombëtar të përcaktohet pa asnjë debat parlamentar? Këto pyetje nuk janë retorike. Janë pyetje për përgjegjësi historike, të cilat duhet të kërkohen jo vetëm nga shteti, por edhe nga BDI si partnere e koalicionit, e cila nuk kishte mandat nga populli për të ulur statusin e shqiptarëve nga popull shtetformues në pakicë.
Ky akt sot është legal, por jo legjitim. Dhe kjo tashmë është në ndërgjegjen tonë kolektive: a duam ta ndryshojmë, apo ta pranojmë në heshtje?
Shpresoj që ky diskutim të mos mbetet një reagim i rastësishëm, por të shndërrohet në një reflektim më të gjerë shoqëror dhe akademik. Sepse vetëm përmes debatit të hapur dhe të argumentuar mund të ndërtohet vetëdije, dinjitet politik dhe barazi reale.
Me respekt,
Dijana Toska
23.12.2025