Shqipëria ka pranuar dërgesën e parë me sistemin kundëtanke Javelin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes.
Sipas ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Pirro Vengu, pajisja e Forcave të Armatosura të Shqipërisë me këtë sistem përbën një hap të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe përmbushjen e synimit për modernizimin e ushtrisë.
“Ardhja e sistemeve Javelin, falë bashkëpunimit me aleaten tonë strategjike SHBA-në, forcon aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, rrit parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare”, tha Vengu.
Ai shtoi se dërgesa e dytë do të arrijë në Shqipëri gjatë vitit 2026.
Shqipëria, anëtare e NATO-s, i ka porositur këto sisteme në kuadër të programeve të bashkëpunimit ushtarak me SHBA-në, përmes mekanizmave të shitjeve ushtarake të huaja.
“Ky investim është pjesë e strategjisë afatgjatë të modernizimit të Forcave të Armatosura, rritjes së parandalimit dhe përafrimit të plotë me kapacitetet dhe doktrinën e NATO-s”, u tha në njoftim.
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë tha se ky sistem është i gjeneratës së fundit, që prodhohet në SHBA dhe konsiderohet kyç për mbrojtjen tokësore.
Edhe Kosova ka porositur 200 sisteme Javelin. Blerja e tyre pritet t’i kushtojë Kosovës 75 milionë dollarë, teksa vendi është në proces të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.
Përveç këtyre sistemeve, Kosova ka porositur, ose ka pranuar edhe dronë, autoblinda dhe pajisje të tjera nga SHBA-ja dhe nga shtete të tjera./REL




