Kryetari i Alternativës, Bekim Sali, mori pjesë sot në fjalimin vjetor të presidentes së shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, duke theksuar sfidat dhe mundësitë që qëndrojnë përpara vendit tonë.
“Republika e Maqedonisë së Veriut gjendet përballë sfidave të ndryshme. Kriza ekonomike në nivel global ka kapur edhe vendin tonë, gjë që përmes politikave të ndryshme të Qeverisë po mundohemi ta zbusim”, është shprehur Sali në Facebook.
Ai nënvizoi rëndësinë e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, duke shtuar:
“Integrimi i vendit në Bashkimin Evropian ngel ende sfida kryesore e vendit tonë. Me përkrahjen e miqve tanë ndërkombëtarë edhe me ndikimin e presidentes, shpresoj se do t’i përafrojmë qëndrimet me Bullgarinë.”
Sali theksoi gjithashtu se një Maqedoni e Veriut e integruar në BE do të sillte përfitime jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin
“Një Maqedoni e Veriut e integruar në Bashkimin Evropian është një garancë për më shumë zhvillim dhe stabilitet në tërë Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Sali.
Ky mesazh vjen në një periudhë kur vendi përballet me presione ekonomike globale dhe sfida diplomatike, duke nxjerrë në pah nevojën për koordinim institucional dhe përpjekje të përbashkëta për avancimin e reformave dhe integrimit evropian.




