Ngërçi politikë në Strugë, Qyra paralajmëron zgjedhje të reja për Këshillin Komunal

Për shkak të ngërçit politik në Këshillin e Strugës, kreu i Komunës Mendi Qyra paralajmëron zgjedhje të reja për këshilltarë. Kjo vjen pasi dje për të tretën herë me radhë dështoi përpjekja për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit. Qyra sot akuzoi për një koalicion të fshehtë mes AKI-së, LSDM-së dhe listës së këshilltarëve të Ramiz Merkos, me qëllim, siç tha ai, paralizimin e Institucioneve komunale, bllokimin e zhvillimit të komunës dhe mirëqenies së qytetarëve.

Me këtë, sipas tij, ata treguan se të rëndësishme për ta janë vetëm interesat e tyre personale, ndërsa këtë koalicion e quajti antikombëtar. Në këtë mënyrë është penguar realizimi i projekteve të rëndësishme për vitin 2026 me vlerë prej 5 milionë euro.

Këshilltarët e AKI-së i reaguan Qyrës duke thënë se deklaratat e tij përbëjnë përpjekje për të relaivitizuar dhe fshehur të vërtetën politike përmes akuzave selektive.

“Lista Merko të cilës sot i referoheni se gjoja qenka në koordinim me ne për të paralizuar punën e Këshillit, publikisht ka mbështetur kandidaturën tuaj z. Qyra. Propozimi i AKI-së për kryetar të Këshillit nuk u mbështet me 4 vota, ku përfshihen votat e VLEN, VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, Levicës dhe Listës Merko. Bllokimi institucional nuk është krijuar nga AKI, por është produkt i drejtpërdrejtë i pazareve politike që disa subjekte kanë zhvilluar mes vete, larg syrit të opinionit publik. Çdo përpjekje për ta zhvendosur fajin nga ata që realisht e kanë krijuar këtë ngërç institucional është e kotë”, thonë Këshilltarët e AKI-së në Strugë.

I pyetur nëse me VMRO-DPMNE tashmë e kanë dakorduar emrin e kryetarit të këshillit, Qyra pa përgjigje konkrete.

VLEN dhe VMRO-DPMNE së bashku kanë gjithsej 10 këshilltarë, gjë që nuk është e mjaftueshme për shumicë në Këshillin e Strugës, i cili ka 23 këshilltarë. Për marrjen e çdo vendimi në të ardhmen, do t’u duhen edhe të paktën dy këshilltarë të tjerë. /Alsat/