Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, me kritika serioze për ndryshimet në Kodin Penal të bëra dy vite më parë. Thotë se me uljen e dënimeve për veprat e korrupsionit të lartë, pa debat publik dhe ekspertë, dhe me miratimin e tyre me flamurin evropian në Kuvend, deputetët u kthyen shpinën qytetarëve që i kanë zgjedhur. Sipas Kostadinovskit, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim historik, duke i urdhëruar Kuvendit që brenda gjashtë muajve të bëjë ndryshimet e nevojshme në Kodin Penal, afat i cili megjithatë u shty për shkak të zgjedhjeve lokale.
“Një vendim shfuqizues do të shkaktonte edhe më shumë dëm sesa dëmi që e bënë deputetët duke miratuar ato ndryshime dhe plotësime të Kodit Penal. Pra, ditën kur e morëm vendimin në shkurt, në konferencë për shtyp thashë se Kuvendi ka bërë një dëm të pariparueshëm ndaj shtetit juridik dhe sundimit të ligjit në historinë tonë, dhe ende mbetem në atë qëndrim”, tha Darko Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Edhe pse shumica përgatiti zgjidhje kalimtare si ndryshime në Kodin Penal, megjithatë, ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas, thotë se bashkësia ndërkombëtare pret një Kod Penal krejtësisht të ri.
“Pra, pritjet tona nuk janë vetëm që vendi të korrigjojë pasojat që i la ky vendim, por edhe të kryejë rishikim të plotë dhe të përgatisë Kod Penal të ri, në mënyrë që të harmonizohet me kuadrin ligjor që e kemi në vendet anëtare të BE-së. Dhe ky harmonizim shkon përtej këtyre problemeve dhe prek shumë fusha të tjera – prek edhe krimin mjedisor, prek sigurinë në komunikacion, dezinformimin”, u shpreh Mihalis Rokas, ambasador i BE-së në vend.
Me nënshkrimin e nëntë deputetëve të shumicës, ndryshimet në Kodin Penal hynë në Kuvend, me të cilat parashikohen dënime më të larta në pjesën e abuzimit me pozitën zyrtare, por ato ende nuk janë vendosur në seancë plenare. Në Ministrinë e Drejtësisë ka edhe një grup pune për hartimin e një Kodi Penal krejtësisht të ri, i cili është pjesë e agjendës reformuese dhe pritet të zbatohet në praktikë gjatë vitit 2026. /Alsat/




