Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi njofton se paga minimale do të rritet sipas ligjit dhe formulës së dakorduar brenda Këshillit Ekonomik-Social (KES).
“Sot, në seancën e pestë të Këshillit Ekonomik-Social, diskutuam për çështje me rëndësi të veçantë për tregun e punës, standardin e jetesës dhe dialogun social.
Po përgatisim Planin Operativ për masat aktive të punësimit për vitin 2026, me buxhet prej 2,39 miliardë denarësh, me fokus të veçantë te të rinjtë, trajnimi i shkathtësive që kërkon tregu i punës dhe përfshirja e kategorive më të rrezikuara.
Sa i përket pagës minimale, qëndrimi ynë mbetet i bazuar në dialog dhe në të dhëna reale.
Inflacioni po stabilizohet dhe rritja e rregullt e pagës minimale do të ndodhë në mars, sipas ligjit dhe formulës së dakorduar brenda Këshillit Ekonomik-Social.
Qëllimi ynë është rritje e qëndrueshme e pagave, mbrojtje e vendeve të punës dhe siguri për punëtorët dhe ekonominë. Dialogu social mbetet rruga e vetme për zgjidhje të qëndrueshme”, shkruan Durmishi.




