Yll Limani flet për albumin e ri: Çlirim shpirtëror për këdo që mban emocione brenda (VIDEO)

Këngëtari i njohur shqiptar, Yll Limani, ka ndarë detaje rreth albumit të tij më të ri në një intervistë ekskluzive në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, duke folur për mesazhin emocional të këngëve dhe procesin krijues pas tyre.

Limani u shpreh se synimi i tij është që muzika të shërbejë si çlirim emocional për dëgjuesit.

“Unë kam dëshirë që njerëzit me më dëgju kur janë të akumuluar me emocione, mu shliru. Këngët vajtuese shkojnë më viral, por besoj që edhe i bëjnë me kërcy e me qesh”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua këngës “Kthem”, e cila është futur e fundit në album, dhe iu kushtohet mërgimtarëve. Sipas Limanit, fillimisht kishte hezitime për ta përfshirë, pasi i dukej si një tentativë për të fituar simpati nga diaspora. Megjithatë, një bisedë telefonike me hallën e tij ndryshoi gjithçka.

“I thashë se e kam një këngë që nuk po e di a me e shti a jo. Ajo tha ‘lëshoma’ dhe ia nisi me qajtë. Atëherë mu duk si një tribut për të”, rrëfeu këngëtari.

Albumi i ri i Yll Limanit pritet të sjellë një kombinim emocionesh, duke reflektuar përvoja personale dhe duke synuar të lidhet ngushtë me publikun e tij.

Pos tjerash, ai tha se procesi i të bërit një album, është si seancë psikologjike, pasi sipas tij, është një spastrim i brendshëm i një personi.

Po ashtu, Ylli tregoi edhe mesazhit të albumit “Thirrëm sot ose nesër”.

Dëgjoni më shumë nga ky rrëfim ekskluziv i Yll Limanit në videon e mëposhtme: